AKTUALITET, 10 Maj 2023, 13:50

Humbën jetën në Valbonë, momentet nga nxjerrja e trupave të turisteve nga humnera (VIDEO)

Humbën jetën në Valbonë, momentet nga nxjerrja e trupave
Baets Myrthe dhe Joanna Blocaille

Janë publikuar pamjet e rënda nga operacioni i nxjerrjes nga humnera ku ranë në Valbonë të trupave të pajetë të dy turisteve që humbën jetën tragjikisht ditën e djeshme.

Baets Myrthe, 25 vjeçe nga Belgjika dhe Joanna Blocaille ranë në një zonë të thepisur teksa po eksploronin zonën në Qafë-Valbonë.

Mësohet se ato po lëviznin në aksin Valbonë-Theth pa asnjë shoqërues që njeh zonën dhe si pasojë e terrenit të ashpër dhe kushteve jo të favorshme atmosferike, me mjegull e borë, kanë rrëshqitur dhe kanë përfunduar në greminë.

Për të mundësuar nxjerrjen e trupave të pajetë shkuan në vendngjarje shërbimet e Policisë vendore dhe të asaj kufitare, si dhe skuadra alpine, në bashkëpunim me Emergjencat Civile dhe me Ministrinë e Mbrojtjes, raportoi Ora News.


Grupi hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës po punon për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së dy turisteve.

Guida turistike Aida Gjeçaj tha për A2CNN se grupi ishte pa guidë me vete. Ndoshta kanë menduar se duke qenë me origjinë nga vende që kanë male me borë, mund ta bëjnë pa guidë. Por, Qafa e Valbonës ka borë të ngrirë deri në korrik. Në momentin që ti vendos këmbën aty, dëbora mund të shkëputet një copë. Pas teje, mund të krijohet edhe ortek. Prandaj nuk rekomandohet që të bëhet pa guidë, sqaroi ajo.

“Ishin një grup shokësh dhe dy të tjerët ishin ata që njoftuan për rrëzimin e shoqeve të tyre. Qafa e Valbonës është shkëmb malor i drejtë, është si fletë e drejtë. Nëse nisesh nga Thethi, ajo zonë nuk ka borë, aty ka shkrirë. Aty mund të ecësh mirë, ndërsa në Valbonë ka borë. Unë mendoj se ata janë nisur nga Thethi dhe nuk e kanë ditur që ka borë më pas.

Nëse do të ishin nisur nga Valbona, do ta shikonin që ka borë dhe nuk do të ngjiteshin fare. Faqja shkëmbore nga krahu i Valbonës është e gjitha në hije dhe aty ka borë të ngrirë. Aty vetëm guidat lokale mund ta hapin shtegun këmbësor. Ne, çdo turisti që na kërkon kalimin e Qafës së Valbonës, u themi që është i pakalueshëm”, tha Gjeçaj.

Ndërkohë po në ditët e fundit, një turist holandez dyshohet se ka humbur jetën në lumin Osum, pasi e ka marrë rrjedha ku ishte futur për të notuar së bashku me gruan e tij. Gjetja e trupit të 68-vjeçarit është e vështirë për shkak të prurjeve të shtuara në lumin Osum.

Bilanc tragjik për turistët e huaj ishte dhe aksidenti i ndodhur dje në Përrenjas, ku humbi jetën një 56 vjeçare me kombësi gjermane. Ajo ishte duke udhëtuar me partnerin e saj, në momentin kur mjeti i tyre është goditur nga një trajler që transportonte mallra, dhe që drejtohej nga një shtetas serb.