AKTUALITET, 7 Gusht 2022, 17:41

Gledis Nano inspekton bregdetin e jugut: Mos dëmtoni imazhin e Policisë së Shtetit, verifikim i detajuar për mjetet lundruese

Gledis Nano inspekton bregdetin e jugut: Mos dëmtoni imazhin e

Pas ngjarjes tragjike në Himarë ku humbi jetën 7-vjeçarja Jonada Avdia, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano vijon inspektimin në jug të vendit, për të parë nga afër zbatimin e masave për rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe.

Këtë të diel, Nano ka qenë në inspektime nga Ksamili në Vlorë. Gjatë takimeve me drejtuesit e strukturave vendore, ato kufitare dhe me efektivët në shërbim, Nano ka kërkuar zero tolerancë ndaj atyre që cenojnë dhe rrezikojnë sigurinë e jetës së pushuesve.

Gledis Nano: Serioziteti, përkushtimi dhe ndershmëria juaj në kryerjen e detyrës është baza e suksesit dhe faktori kryesor për rritjen e parametrave të sigurisë në plazhe, si dhe për të fituar respektin dhe vlerësimin e pushuesve dhe të qytetarëve në përgjithësi. Mos e shpërdoroni këtë mundësi, mos dëmtoni imazhin e Policisë së Shtetit, dhe më keq akoma, mos rrezikoni jetën e qytetarëve me neglizhencën tuaj.

Ky standard i vendosur këto ditë të ruhet deri në fund të sezonit dhe të merret si model për sezonin e ardhshëm, me qëllim që masat të merren në kohë, jo vetëm nga Policia, por të koordinuara me të gjithë institucionet që i ngarkon ligji, duke iu krijuar pushuesve një ambient të qetë dhe të sigurt.

Për mjetet lundruese të shoqëruara por edhe ato që do të shoqërohen për verifikim duhet të kryhet një proces verifikimi i detajuar nga të gjitha strukturat. Mjetet që do të rezultojnë të rregullta nga verifikimi i detajuar do t’i nënshtrohen rregullave të reja të daljes në det, për të përmbushur qëllimin e vetëm, sigurinë e jetës së pushuesve.