AKTUALITET, 11 Prill 2025, 19:56

Gjykata Kushtetuese pranon pjesërisht ankimin e Ahmetajt, shfuqizohen vendimet e gjykatave për sekuestrimin e disa pasurive

Gjykata Kushtetuese pranon pjesërisht ankimin e Ahmetajt, shfuqizohen

Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht ankimin e ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj për sekuestrimin e pasurive.

Kushtetuesja ka shfuqizuar vendimin për sekuestrimin e një apartamenti në rrugën "Kreshnik Çollaku", një llogarie bankare dhe një depozite në një bankë të nivelit të dytë.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur gjithashtu dërgimin e çështjes edhe njëherë për gjykim në Apelin e Posaçëm.

VENDIMI I PLOTË: 

1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.

2. Shfuqizimin e vendimeve nr. 37, datë 10.08.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe nr. 00-2023-2048, datë 07.12.2023 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, në pjesën që lidhet me sekuestrimin e pasurive:
- Apartament me nr. xxx, rruga “Reshit Çollaku”, Tiranë.
- Llogari bankare nr. xxx, pranë Intesa SanPaolo Bank.
- Depozitë nr. xxx, pranë Intesa SanPaolo Bank.

3. Dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

4. Anonizimin e të dhënave personale në tekstin e vendimit që publikohet.

Arben Ahmetaj ndodhet në arrati që prej muajit korrik të vitit 2023. Ai akuzohet për kryerjen e tre veprave penale: “Pastrim parash”, “fshehje të pasurisë” dhe “korrupsion pasiv”. Ahmetaj dyshohet se gjatë funksionit të tij si ministër, mori disa akte për t’i mundësuar sipërmarrësve lidhjen e kontratave koncesionare.

Ndaj tij, ka edhe hetim pasuror dhe janë vënë në sekuestro dy vila, disa apartamente dhe llogari bankare. Në muajin korrik të vitit 2023, organi i akuzës lëshoi urdhër arresti ndaj tij dhe e shpalli atë në kërkim ndërkombëtar, ndërsa në mars të 2024-s i komunikoi akuzat përmes avokatit të tij ligjor.