AKTUALITET, 22 Tetor 2022, 16:00

Gjykata e Elbasanit jep masën “arrest në burg” për Luis Gaxhin dhe Rigers Spahiun

Gjykata e Elbasanit jep masën “arrest në burg” për

Luis Gaxhi dhe Rigers Spahiu, të arrestuar vetëm pak ditë më parë nga policia e Elbasanit, janë lënë në burg nga Gjykata.

Ata dyshohen se, synonin të kryenin vrasje në qytetin e Elbasanit, pasi policia i zbuloi arsenalin e armëve.

Luis Gaxhi është mik i ngushtë ndërsa Rigersi vëllai i Arjan Spahiut, i ekzekutuar në Belgjikë kohë më parë.

Në dosjen hetimore thuhet se Luis Gaxhi kishte vetëm pak ditë që kishte mbërritur nga Belgjika ku kishte vuajtur një dënim për drogë.

Ai u arrestua jashtë banesës dhe gjatë kontrollit nga uniformat blu në shtëpinë e tij u gjet një sasi prej 5 kg e gjysmë heroinë.

Hetuesit sekuestruan telefonin e tij dhe e këqyrën atë më shpresën për të zbuluar personat që mund të blinin lëndë narkotike prej tij.

Mes të tjerash, në celular u gjetën fotot e dy biznesmenëve të Elton Kilës (Otit) dhe Abedin Mamës i njohur me nofkën “Dine Çami”.

Të dy personazhet ishin të njohur për policinë, pasi sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit, i penduar i drejtësisë, ai kishte marrë porosi për të vrarë Elton Kilën, ndërsa Dine Çamin ai e akuzon për përfshirje në disa krime të rënda. Mbi bazën e dëshmisë së Dumanit, Dine Çami është në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”.

Rezulton se Dine Çami ka lidhje me Mikael Kamamin, ky i fundit i shpallur në kërkim si një nga autorët e dyshuar të vrasjes së trefishtë, në atë që njihet si masakra e Bradasheshit, ndërsa me Elton Kilën, ai kishte përplasje të tjera që lidheshin me çështje të drogës, raporton News 24.