AKTUALITET, 7 Maj 2026, 15:52

Gjendet i mbytur në lumin Osum 30-vjeçari i zhdukur prej ditësh

Gjendet i mbytur në lumin Osum 30-vjeçari i zhdukur prej ditësh

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Berat, ku është gjetur i pajetë në lumin Osum një 30-vjeçar që rezultonte i zhdukur prej disa ditësh.

Viktima është identifikuar si David Shehaj, banues në lagjen “Çlirim”, i cili ishte larguar nga banesa më 30 prill. Ka qenë babai i tij ai që ka denoncuar në polici zhdukjen e të riut.

Pas informacioneve të marra nga banorë të zonës, të cilët kishin deklaruar se e kishin parë 30-vjeçarin duke u hedhur në lumë, autoritetet nisën kërkimet përgjatë rrjedhës së Osumit.

Në operacion u angazhuan strukturat e Drejtoria Vendore e Policisë Berat si dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të repartit ushtarak në Poshnje.

Pas disa orësh kërkime, trupi i pajetë i David Shehajt u gjet mesditën e sotme në zonën e fshatit Remanicë.

Më pas, trupi u transportua drejt morgut të Spitalit Rajonal të Beratit, ku do t’i nënshtrohet autopsisë mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.

Sipas burimeve, 30-vjeçari rezultonte konsumator i lëndëve narkotike dhe kishte precedentë penalë për vjedhje.