AKTUALITET, 6 Tetor 2025, 11:15

Gara për Tiranën/ Nis mbledhja e Kryesisë së PD, Berisha: Sot do të kemi emrin e kandidatit tonë!

Gara për Tiranën/ Nis mbledhja e Kryesisë së PD, Berisha:

Në skadim të afatit 48 orë të lënë për kandidatët e pavarur, në Partinë Demokratike është mbledhur kryesia e vogël me kryetarin, nënkryetarin, sekretarin e përgjithshëm Flamur Noka dhe grupi negociator. Ata do të shqyrtojnë emrat e kandidatëve të pavarur të vetëofruar deri më tani. 

Politologu Ermal Hasimja ka shprehur publikisht kandidaturën e tij, ndërsa të përfolur si kandidatë të mundshëm janë edhe Edlira Çepani dhe Florian Haçkaj. 

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në një deklaratë për mediat nga selia blu, ka deklaruar se sot pasdite pritet të bëhet i ditur emri i kandidatit të opozitës për kandidatin i cili do të garojë përballë Ogerta Manastirliut për postin e kryebashkiakut të Tiranës.

Ai ka deklaruar se për emrin do të zhvillohen diskutime me aleatët e PD, ndërsa zbuloi se janë disa emrat e propozuara.

“Shpresoj se do të kemi një emër por do të kemi konsultime edhe me aleatët, kemi disa propozime. Ka disa që e kanë shprehur publikisht ka edhe që kemi kanë bërë të ditur privatisht. Disa prej tyre i dini tashmë. Janë pedagogë, personalitete të ndryshme që dua t’i marr më parë autorizimin që t’ua bëj emrat publikë”, tha ai.

Ndërkohë ka nisur mbledhja e Kryesisë së vogël në PD, ku të pranishëm janë Sali Berisha, Gazment Bardhi, Flamur Noka, Oerd Bylykbashi dhe Agron Gjekmarkaj.

Pjesëmarrës si grup që kanë negociuar me aleatët, janë edhe Belind Këlliçi dhe Ilir Alimehmeti.

Në këtë mbledhje do diskutohet për kandidatët të cilët kanë shprehur dëshirën për të kandiduar si të pavarur për Tiranën.