AKTUALITET, 14 Maj 2025, 14:39

“Ftoj demokratët të vazhdojmë misionin”, Berisha: Në Senat dhe Kongresin e SHBA do çojmë dokumente të pakundërshtueshme

“Ftoj demokratët të vazhdojmë misionin”, Berisha:

Kreu i PD-së Sali Berisha mbajti mesditën e sotme një konference me gazetarët, ku ftoi demokratët të vazhdojnë misionin për rikthimin e votës së lirë.

Berisha theksoi se do dërgohen dokumente të pakundërshtueshme për vjedhjen e këtyre zgjedhjeve në kancelaritë e Europës dhe Senatin dhe Kongresin e SHBA-së.

Berisha: Ka patur probleme të tjerë po kaq të rëndë. Zgjedhje të kapura nga organizatat kriminale  më të fuqishme të Shqipërisë dhe rajonit që disponojnë në kontot e tyre miliarda euro. Luftojnë në këto zgjedhje për lëkurën e tyre. I garantoj se në PD në pushtet do shpallen organizata kriminale. Ligji do jetë i tmerrshëm. Mos të kenë iluzion. Janë pengmarrës të një populli. Dënoj terrorin policesk ndaj numëruesve komisionerëve tanë. Kërkoj lirimin e menjëhershëm të vëzhguesit Luan Tollozhina. E gjithë ngjarja është një kurth policesk i organizuar kundër tij. Mbahet në burg vetëm si qendrestar dhe mbrojtës i votës. Dënoj akte të tjera të falangave të krimit. Kanë terrorizuar demokratë dhe demokrate që kanë dorëzuar filmime dokumenta mbi dhunimin masiv të zgjedhjeve. Ftoj demokratë të vazhdojmë këtë mision si misionin, i të gjitha misioneve të opozitës, mbrojtjen, rikthimin e votës së lirë. Asgjë në botë, asnjë fuqi politike nuk do mund të fshehë të vërteta e shëmtuara të grabitjes së zgjedhjeve nga narko regjimi i Tiranës. Ata të cilët injorojnë se këto zgjedhje u plaçkitën në mënyra më kriminale, do të zhgënjehen më vonë kur ne të kemi faktuar para çdo shqiptari dhe në çdo kryeqytet të Europës dhe botës shëmtinë e kësaj farse elektorale.

Vëzhguesit e OSBE ODIHR, përgëzoj misionin e ambasadorit Zagneli që në kushte jo të lehta arriti në një vlerësim paraprak, në tërësi real. Me OSBE dhe me kancelaritë europiane, senatin dhe kongresin e SHBA ne në mbrojtje të votës së qytetarëve shqiptarë do kemi paraqitje dhe shkëmbime mendimesh, dokumentesh të pakundërshtueshme. Narko regjimi nuk mundet kurrë të përfitojë për kohë të gjatë nga kjo masakër zgjedhore që kreu.