TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Investimet e huaja direkte u rritën përsëri në tremujorin e parë të këtij viti.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ato arritën vlerën e 273 milionë Eurove, me një rritje prej pothuajse 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Megjithatë, siç ka ndodhur gjithnjë e më shumë në vitet e fundit, rritja e investimeve të huaja po vjen sidomos nga fitimet e riinvestuara të kompanive ekzistuese, ndërsa injektimet e reja të kapitalit paraqiten në rënie.
Sipas Bankës së Shqipërisë, injektimi i kapitalit të ri në tremujorin I 2022 arriti vlerën e 105 milionë Eurove, 15% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, fitimet e riinvestuara u zgjeruan me 15% dhe arriti vlerën e 137 milionë eurove.
Tashmë, fitimet e riinvestuara në vlerë po kalojnë edhe flukset e reja të investimeve të huaja direkte. Ato kanë kompensuar një pjesë të rënies së flukseve të reja investuese nga jashtë dhe
pesha e tyre e lartë është karakteristike në degë ku kërkohen investime të konsiderueshme
periodike, si në industrinë nxjerrëse, por edhe në disa sektorë të shërbimeve.
Një nga faktorët që shpjegon ruajtjen e niveleve të larta të investimeve të huaja direkte, sidomos në periudhën pas pandemisë, është pikërisht kontributi i investitorëve ekzistues.
Të dhënat e investimeve sipas sektorëve për tremujorin e parë nuk janë ende të disponueshme, megjithatë, deri në fund të vitit të kaluar, sektori dominues ishte industria nxjerrëse, me rreht 24% të fluksit total të investimeve të huaja direkte. Investimet në këtë sektor janë kryesisht të lidhura me industrinë e nxjerrjes së naftës bruto.
Rritja e mëtejshme e çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare këtë vit përbën një premisë për rritje të mëtejshme të investimeve në këtë sektor.
Të tjerë sektorë që thithën vlera të mëdha të investimeve të huaja direkte vitin e kaluar ishin pasuritë e paluajtshme dhe sektori financiar, përkatësisht me 18.5% dhe 15% të flukseve totale vjetore.
Cikli i ri i rritjes së tregut të pronave duket se në vitet e fundit po tërheq flukse në rritje të investimeve në sektorin e pasurive të paluajtshme. Ndërsa sektori financiar dhe sidomos ai bankar ngelet në vazhdimësi një faktor me peshë në investimet e huaja direkte, sidomos falë nevojave periodike që kanë bankat për të shtuar kapitalin e tyre aksioner.
Sipas shteteve, Hollanda ishte investitori më i madh i huaj në Shqipëri për të tretin vit radhazi vitin e kaluar. Investimet hollandeze vitin e kaluar përbënin rreth 23% të fluksit total të investimeve të huaja gjatë periudhës.
Kryesimi i investimeve hollandeze në vitet e fundit lidhet shumë me faktin se Hollanda është një nga vendet e preferuara në Europë për të regjistruar kompani holding, me qëllim kontrollin e investimeve ndërkombëtare të grupeve të ndryshme të biznesit.
Hollanda ka një rrjet të gjerë të marrëveshjeve me vende të tjera të Botës për shmangien e tatimit të dyfishtë. Kjo i ndihmon kompanitë për të shmangur ndërlikimet tatimore në momentin e shpërndarjes dhe transferimit të dividendëve të fituara nga investimet e kryera në vende të tjera.
Arsyeja tjetër pse Hollanda është një vend i preferuar për regjistrimin e kompanive është sepse legjislacioni i atjeshëm garanton një shkallë të lartë konfidencialiteti lidhur me pronësinë e aksioneve mbi një kompani. /MONITOR/
