AKTUALITET, 5 Mars 2025, 12:43

'Gjeologjia', Rama inspekton punimet: Një nga investimet më të rëndësishme të arsimit të lartë! Laboratorë, salla leksionesh e ambiente studimi modernë

'Gjeologjia', Rama inspekton punimet: Një nga investimet më

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja për Arsimin dhe Sportin, Ogerta Manastirliu inspektuan paraditen e kësaj të mërkure punimet që po kryhen për rikonstruksionin e dy godinave të Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave si dhe po ndërtohet Muzeu i Ri i Gjeologjisë.

Kreu i qeverisë thotë se ndërtesat do të ofrojnë laboratorë modernë, salla leksionesh dhe studimesh me kushtet më të mira për studentët dhe pedagogët. Sipas Ramës, ky është një nga investimet më të rëndësishme për arsimin e lartë, pjesë e programit të qeverisë për modernizimin e universiteteve.

“Duhet punuar me disa variante  dhe t’i angazhojmë edhe këta që kanë karriera që të japin kontribut. Në radhë të parë është që të kemi projektin e duhur në këtë pjesë. Nëse do të shkohet në këtë drejtim, duhet gjetur mënyra që edhe sheshi të mos jetë tipik. Për shembull për të shtuna dhe të diela mund ta hapni këtë për publikun.”, u shpreh Rama.

Ndërkohë ministrja Manastirliu foli gjithashtu edhe për investime në Fakultetin e Arkitekturës.

“ Universiteti Politeknik i Tiranës është kantier i hapur se dhe Fakulteti i Arkitekturës dhe Inxhinierisë është duke u rindërtuar. Janë tre volume ndërtesash. Ka filluar i pati dhe pritet të fillojë me të dytin. Janë 12 milionë dollarë të parashikuara për investimin, 70 për qind mbulim të buxhetit të shtetit.”, tha ministrja.