AKTUALITET, 15 Nëntor 2024, 18:13

“Energjinë e blejmë shtrenjtë dhe e shesim lirë”, Bardhi: SPAK të hetojë skemën kriminale

“Energjinë e blejmë shtrenjtë dhe e shesim

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është shprehur se Shqipëria ka çmimin më të lartë të energjisë elektrike në rajon.

Komentet Bardhi i bëri përmes një reagimi në Facebook, ku tha se kjo ndodh sepse abuzohet me paratë e qytetarëve.

Bardhi tha gjithashtu se qytetarët e Kosovës paguajnë çmimin e energjisë 7.4 euro/100 kWh, qytetarët shqiptarë paguajnë 11.1 euro/100 kWh.

Ai shtoi se ministrja Belinda Balluku është përgjegjëse direkte që energjia blihet më shtrenjtë dhe shitet më lirë. Sipas tij kjo është një skemë kriminale dhe i bëri thirrje SPAK të nisë hetimet.

Reagimi i Bardhit:

- Shqipëria ka çmimin më të lartë të energjisë elektrike në Rajon, sepse paratë e qytetarëve abuzohen. Ndërsa qytetarët e Kosovës - paguajnë çmimin e energjisë 7.4 euro/100 kWh, qytetarët shqiptarë paguajnë 11.1 euro/100 kWh.

Kjo është pasojë direkte e mungesës së transparencës dhe abuzimeve në procesin e shitblerjes së energjisë dhe shmangies së detyrimit për të përdorur Bursën e Energjisë, që sjellin pasoja të rënda financiare për Buxhetin e Shtetit sepse energjinë e blemë shtrenjtë dhe e shesim lirë. Kjo është kriminale dhe përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Ministres Belinda Balluku.

Kjo skemë kriminale duhet të zbardhet dhe ndëshkohet nga SPAK. Çdo vonesë apo mosveprim rëndon mbi xhepat e qytetarëve të varfër shqiptarë, që u shtohet çdo ditë kosto e jetesës për shkak të babëzisë për të vjedhur çdo gjë dhe kudo!