AKTUALITET, 16 Janar 2024, 11:32

“Eljon Hato ishte në banesë, por u largua dhe la qentë lëshuar”, policia jep detaje nga operacioni për kapjen e mikut të Ervis Martinajt

“Eljon Hato ishte në banesë, por u largua dhe la qentë

Policia ka dhënë detaje nga operacioni në banesën vëllait të Eljon Hatos në Shkodër gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm.

Sipas News 24, uniformat blu kanë zhvilluar operacionin pasi kishin informacion se miku i Ervis Martinaj ditën e fundit ndodhej në banesë. Por, sipas tyre, në operacionin e monitoruar nga SPAK, kur mbërritën në shtëpinë e të shumëkërkuarit janë ndeshur me 2 qen të rracës kangal, të cilët kanë qenë të zgjidhur.

Fillimisht efektivët kanë futur brenda banesës qentë e tyre, të cilët u kacafytën me qentë e banesës duke u bërë rrezik për njerëzit, ndaj neutralizimi i tyre ishte opsioni i vetëm.

Policia ka gjetur prova që ngjallin dyshime se Eljon Hato ka qenë në banesë dhe është larguar para mbërritjes së policisë duke i lënë qentë e lëshuar.

Vëllai i Eljon Hatos, Elkier Hato është shprehur se ndihen të terrorizuar.

“Rreth orës 5:30 kanë ardhur gjashtë mikrobuza policie. Kanë hypur në majë të murit dhe kanë qëlluar me armë qentë. Njërin e kanë vrarë dhe tjetrin e kanë plagosur. është e disata herë që vijnë këtu dhe unë nuk e di arsyen përse vijnë në këtë vend.

Sa herë që kanë ardhur këtu nuk e kanë gjetur Eljonin. Unë i kam thënë se ku jeton Eljoni dhe nuk shkojnë atje ku ka shtëpinë e tij por vijnë direkt këtu”, tha ai.

Elkier Hato ka hedhur akuza ndaj shefit të komisariatit të policisë së Shkodrës, Idriz Daulle.

“Mendoj se është e qëllimshme se me informacionet që kam di se është duke e bërë shefi i komisariatit gjithë këtë gjurolldi. A është paguar prej kujt apo e bën për miqësi të ndokujt këtë nuk e di. Jam i bindur 1 mijë përqind se këtu ka dorë dikush”, shprehet 39-vjeçari.