AKTUALITET, 28 Shtator 2023, 17:26

Çeku i bebes nuk e rriti popullsinë, në 4 vite u dhanë 125 mln euro, gjysma shkoi jashtë

Çeku i bebes nuk e rriti popullsinë, në 4 vite u dhanë 125

Në vitin 2019 qeveria vendosi të disbursonte nga buxheti i saj bonusin për bebet. Politika në mbështetje të familjeve dhe prindërve të rinj, synon të nxisë lindshmërinë në vend, duke ofruar një bonus prej 40 mijë lekë për çdo foshnje të lindur, dhe duke u shtuar dyfish për fëmijën e dytë dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë. Kështu qeveria nga 2019 e deri më sot ka shpenzuar në total 13.2 miliardë lekë, ose 125.3 milionë euro.

Por sa ka efektive ka qenë kjo skemë? Në raport me numrin e lindjeve në vend, shifrat e INSTAT tregojnë se numri I bebeve të lindura në vendin tonë ka ardhur duke u tkurrur. Në vitin 2022 shënohet rënia më e madhe e lindjeve që nga fillimi i kësaj skeme, me 9,3%. Nga ana tjetër, çeku që qeveria ka shpenzuar është rritur. Në vitin 2020, edhe pse numri i bebeve të lindura ra me 1,7%, buxheti i dedikuar bonusit të lindjeve u rrit me 21,7%, duke i kushtuar qeverisë 2.8 miliardë lekë.

Mbështetja financiare e cila përfitohej edhe nga familjet shqiptare në emigrim, solli një rimendim nga ana e qeverisë e cila në maj të këtij viti vendosi të ndryshojë projektligjin duke përjashtuar këtë kategori nga përfitimi financiar. Sipas të dhënave në vitin 2022, mbi 40% e përfituesve ishin familje jo rezidente, duke rezultuar kështu në një shpenzim total të buxhetit të shtetit jashtë Shqipërisë më një vlerë prej mbi 1.29 miliardë lekë nga buxheti i shtetit.

Njëkohësisht skema ngre pikëpyetje sesa efektive mund të jetë në një kohë që popullsia vjen gjithnjë e duke u plakur, dhe kostot e jetesës nga ana tjetër janë duke u rritur, familjet shqiptare po e mendojnë dy herë para se të bëhen me fëmijë. Kjo tregon domosdoshmërinë për një politikë më të mirëmenduar dhe më mbështetëse për familjet e reja, të cilat përballen me një sërë pengesash si mungesa e sigurisë në punë, të ardhurat e ulëta dhe shpenzimet në rritje. Çiftet e reja duket se po tregohen gjithnjë e më të “kursyer” në shtimin e familjes.