TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Pagesat e qeverisë si subvencione janë të vetmet që kanë mbajtur në këmbë Hekurudhën Shqiptare që të mos shpallë falimentin.
Kontrolli i Lartë i Shtetit gjykon se pagesat që i janë bërë kompanisë të cilat kanë shkuar për paga apo shpenzime të tjera që skenë lidhje me transportin kanë krijuar një situatë konfuze. Aktualisht transporti hekurudhor në vend është tejet e limituar ndërkohë që i vetmi projekt i cili mund të japë optimizëm është rehabilitimi i Tiranë-Durrës dhe zgjatimit në Rinas që parashikohet të përfundojë vitin tjetër. Raporti i audituesve vërën se për çdo lekë të shpenzuar Hekurudha Shqiptare ka arritur të marrë pas gjithmonë më pak duke shënuar kështu thellim të humbjeve.
“Performanca e treguesve ekonomiko-financiar që lidhen me realizimin e buxhetit faktik të shoqërisë, nuk është e kënaqshme dhe ka vend të përmirësohet, pasi për çdo lekë të shpenzuar, sipas viteve objekt auditimi është përfituar një e ardhur: 2019 prej 0.89 lekë, 2020 prej 0.79 leke, 2021 prej 0.94 lekë dhe për vitin 2022 një e ardhur prej 0,99 lekë. Raporti i detyrimeve afat shkurtër/kapitalit për vitin 2019, paraqitet 1.5 %, për vitin 2020 paraqitet 1.22%, për vitin 2021 paraqitet 1.31% dhe për 2022 në 1.45%. “Hekurudha Shqiptare” SHA, ka riskun e gjendjes së pamjaftueshme të likuiditeteve.
Në qoftë se shoqëria do të llogariste penalitetin e hekurudhave të huaja si dhe nuk do të çelej subvencion nga buxheti i shtetit, do të çonte në rezultat negativ akoma më të lartë për vitet ushtrimore”, thuhet në raport. I njëjti nënvizon se ecuria e treguesve ekonomiko-financiare për vitet e fundit 2019, 2020, 2021 dhe 2022, pasqyron një krize likuiditeti teksa shoqëria ka detyrime të prapambetura ndaj të tretëve si kredi afatshkurtër e afatgjatë, për principial dhe interesa, fatura për blerje etj., në vlerën 3,87miliardë lekë.
“Në opinionin e grupit të auditimit Shoqëria “Hekurudha Shqiptare” sh.a Durrës, është në gjendje falimentimi. MIE dhe MFE, e kanë përdorur subvecionin si të vetmin instrument për të mos shpallur procedurat e falimentimit të Shoqërisë HSH sha.
Veprimet sa më sipër janë jo në përputhje me ligjet për buxhetin e viteve përkatëse pasi Ministria e Financave dhe Ekonomisë (Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit), Dega e Thesarit Durrës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (Drejtoria e Buxhetit dhe e Menaxhimit Financiar), me veprimet apo mosveprimet e tyre, kanë krijuar një situatë konfuze dhe të paqartë për alokimin dhe përdorimin e subvencionit nga Hekurudha Shqiptare, duke i krijuar kësaj shoqërie mundësinë që ta përdor këtë subvencion për paga dhe sigurime shoqërore), duke ndryshuar në këtë mënyrë destinacionin e këtij shpenzimi si të vetmin instrument për të mos shpallur procedurat e falimentimit të Shoqërisë “Hekurudha Shqiptare Sh.a Durrës, pasi Shoqëria aktualisht ndodhet përpara një krize të mprehtë likuiditeti”, thuhet në raport./Monitor