TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Prokuroria e Durrësit ka kërkuar masën e arrestit për bosin e “Banaking”, Trifon Murataj, për kapjen e një sasie kokaine mes bananeve, në portin e Durrësit më 3 nëntor 2022. Kjo masë vjen pas asaj të kërkimit policor që zjgjat një muaj, por pas të cilës Murataj nuk u arrit të prangosej, sepse mendohet se jeton në SHBA. Burime pranë Prokurorisë së Durrësit thanë për tpz.al se pas skadimit të kësaj mase dhe provave shtesë në ngarkim ndaj tij, akuza vendosi të kërkojë masën e arrestit për 54-vjeçarin Murataj.
Murataj ishte shpallur në kërkim nga policia e Durrësit, pas operacionit “Again” kur u arrestuan shtetasit Petrit Demishaj, Alban Naziraj dhe Artur Sevdaraj, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Falsifikim kompjuterik”.
Gjatë operacionit të zhvilluar nga strukturat e Hetimit të Krimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare në Port Durrës, në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale, në Policinë e Shtetit, u vendos në pranga administratori i kompanisë që priste ngarkesën me banane, brenda së cilës Policia gjeti 33.5 kilogramë kokainë, u shpall në kërkim presidenti i kësaj kompanie dhe u arrestuan edhe 2 punonjës të skanerit, në Portin e Durrësit.
Nga hetimet dyshohej se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, organizuan trafikimin e 33.5 kg kokainë, nga Ekuadori në drejtim të Portit të Durrësit.
Më 6 nëntor 2022 Gjykata e Durrësit vendosi të lërë në burg tre të arrestuarit për drogën e gjetur mes bananeve në Portin e Durrësit tre ditë më parë, ndonëse tre të arrestuarit mohuan akuzat duke deklaruar se çdo gjë e kanë kryer konform ligjit.
Pasditen e vonë të 3 nëntorit 2022, pas kontrollit fizik në një kontejner me banana ku u gjetën dhe sekuestruan 33,5 kg kokainë u arrestuan shtetasit Petrit Demishaj, administrator i kompanisë Zico sh.a., porositëse të mallit, dhe dy punonjësit e skanerit në turn, Alban Naziraj dhe Artur Sevdaraj, të tre të akuzuar për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Falsifikim kompjuterik” si dhe u shpall në kërkim policor edhe presidenti i kompanisë Trifon Murataj.
Sipas Policisë së Shtetit, mes bananeve të importuara nga Ekuadori nga kompania “Banaking” u gjetën të fshehura pako me kokainë në peshë totale 33.5 kilogram. Policia kishte marrë informacion në lidhje me ngarkesën e bananeve në të cilat ishte futur drogë. Ngarkesa ishte nisur më 20 shtator 2022 nga Porti “Puerto Bolivar” i Ekuadorit dhe 10 ditë më pas është ndalur në Panama. Destinacioni i radhës ka qenë Porti ‘Gioia Tauro’ në Itali ku anija qëndroi në këtë port deri më 21 tetor.
Në Portin e Durrësit ngarkesa mbërriti më 28 tetor, ndërsa kontrolli i saj me qen antidrogë u bë në 3 nëntor. Pasi kontejneri me drogë u skanua, dyshohet se të arrestuarit manipuluan pamjet për të dalë të pastra.
Kjo ishte kapja e radhës me drogë në kontejnerët e “Banaking”. Rasti më flagrant ishte në 30 dhjetor 2021, kur Murataj kontaktoi 10 orë me vonesë Policinë e Shtetit se kontejneri me banane ishte sulmuar në Romanat nga persona të armatosur të cilët u larguan pa marrë asgjë nga ngarkesa. Nga kontrolli i kryer në magazinën e kompanisë në Vaqarr policia sekuestroi 119 kg kokainë dhe vuri në pranga administratorin e firmës Marson Murataj, nipi i Trifon Muratajt dhe dy shoferët e kamionit Gëzim Kalaja dhe Hasan Salihu.
Më pas, një rast i dyshuar për trafik të lëndëve narkotike u shënua në korrik 2022 ku nga kontejnerët e Banaking u vodhën rreth 49 arka brenda të cilave nuk dihet çfarë ngarkese kishte, por mendohet se kokainë. Për këtë rast, policia e Durrësit arrestoi shoferin e kompanisë, Nazmi Algjata dhe agjentin e shitjeve të kësaj kompanie, Altin Muhametaj si dhe 20 punonjës të doganës në Portin e Durrësit, të cilët u akuzuan për shpërdorim detyre.