AKTUALITET, 9 Tetor 2022, 11:03

“E para ishte Akademia Bashkimi”/ Studiuesja shpërthen kundër festës së 50-vjetorit të Akademisë së Shkencave: Duhet 1 minutë heshtje

“E para ishte Akademia Bashkimi”/ Studiuesja shpërthen
Anëtarët e Akademisë së Shkencave më 1972

Akademia e Shkencave të Shqipërisë feston nesër 50-vjetorin e themelimit. Por përpara festimeve kanë nisur edhe përplasjet për datën e themelimit dhe qëndrimin ndaj saj.

Studiuesi dhe politilogu Afrim Krasniqi, duke botuar vendimin e Pleniumit të Komitetit Qendror të PPSH-së mbi krijimin e Akademisë së Shkencave, shkruan ”Akti politik i krijimit të ASH. Partia inicoi, vendosi, përzgjodhi dhe drejtoi. Shkencë dhe propagandë? 50 vite - ka bilanc pozitiv, por edhe kritika thelbësore. Një analizë e (pa)mundur mbi fakte? Pengesë mitet & piramida e elitave të emëruara vs pakicës së merituara!”.

Por studiuesja Ledi Shamku Shkreli thotë se nesër në vend të festimeve për 50-vjetorin e Akademisë, duhet mbajtur një minutë heshtje për rënien e shkencës në qyrkun e tmerrshëm të idelogjisë. Shamku-Shkreli shkruan se AKADEMIA BASHKIMI, e themeluar rreth një shekull më parë, për vullnet të Abatit të Mirditës, Prend Doçi, i cili i la në dispozicion banesën e vet në Shkodër, është Akademia e parë e dijes shqiptare, që i dha këtij vendi Alfabetin, Shkollat, Pavarësinë, Normalen e Elbasanit me mësuesit e shqipes për Kosovë e ngado ku qe gjuha shqipe, i dha Komisinë Letrare dhe gjuhën e shtetit.

Në faqen zyrtare të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë thuhet se si datë e themelimit është 10 tetori 1972.

“Deri në vitin 1972 në vendin tonë vepronin 25 institucione kërkimore-shkencore. Në këto kushte u bë e domosdoshme nevoja e ngritjes së Akademisë së Shkencave si një institucion kërkimor-shkencor kombëtar.

Kështu, më 10 tetor 1972, me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor u vendos krijimi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Mbledhja e parë e Asamblesë së Akademisë së Shkencave u mbajt më 25 janar 1973. Prof. Aleks Buda u zgjodh kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Midis themeluesve të saj spikatnin shkencëtarë të shquar si Eqrem Çabej, Mahir Domi, Kolë Popa, etj. Në fillimet e saj Akademia kishte 17 anëtarë të rregullt dhe 5 anëtarë korrespondentë; ajo funksiononte me një varg institutesh të shkencave shoqërore dhe albanologjike, si dhe të shkencave natyrore e teknike”-shkruhet në faqen zyrtare të Akademisë. (LEXO KETU)

Një debat tjetër, si ai se kur iku gjermani i fundit, më 28 apo 29 nëntor 1944, për të përcaktuar ditën e çlirimit të Shqipërisë, pa ideologjizma.