AKTUALITET, 9 Mars 2023, 22:52

“E ke filluar me hov 31 vjeç, nga zero në majë”/ Debati Sejamini-Bardhi bëhet personal: Edhe ty Berisha të ka krijuar se të ka patur këshilltar

“E ke filluar me hov 31 vjeç, nga zero në majë”/

Debati në emisionin “Të Paekspozuarit” mes analistit Neritan Sejamini dhe deputetit Gazment Bardhi u kthye në personal, ndërsa i pari i kujtoi se ai, Basha apo Alibej ishin futur në politikë dhe në qeverisje nga ish-kryeministri Berisha. Bardhi ia ktheu, duke i kujtuar se edhe ai ishte futur në politikë nga Berisha, duke qenë se shërbeu  disa kohë si këshilltar i tij, pasi u bë kryeministër në vitin 2005. Më pas debati përfundoi me fyerje personale, ku Sejamini e cilësoi trillues Bardhin, duke i kujtuar se ka qenë student i Dhjetorit ’90, themelues i PD-së që sot e gëzon dhe i mban peng vulën, duke qenë në grupin e Bashës.

Debati në studio   

Sejamini: Z. Alibeaj dhe z.Basha janë krijesa të z.Berisha, i ka krijuar nga hiçi.

Bardhi: Edhe ty ai të ka krijuar se të ka patur këshilltar.

Sejamini: Jo, më ka patur këshilltar. Unë jam i pari që kam ikur.

Bardhi: E kisha në politikë, jo si individ, është angazhuar nga z.Berisha.

Sejamini: Jo nuk jam angazhuar nga Berisha, por s’ka gjë se ti je i vonë. E ke filluar me hov 31 vjeç, nga zero në majë.

Bardhi: S’e kam filluar nga zero. Anëtar i Partisë Demokratike kam qenë edhe unë.

Sejamini: Unë jam themelues i Partisë Demokratike, student i Dhjetorit. Në politikë jam futur vetë.

Bardhi: Si u fute vetë në politikë derisa të mori Berisha këshilltar?

Sejamini: Në politikë ty të ka futur z.Berisha dhe z.Basha. Jo vetëm kaq, por megjithëse kam punuar më shumë, ju keni bërë më shumë karrierë, me dëshirën dhe besimin e z.Berisha, i cili u ka bekuar dhe ka besuar z.basha, z.Alibeaj e të gjithë.

Bardhi: Duhet ta duash gjënë që ta marrësh.

Sejamini: Sot që keni ngelur pa pushtet sulmoni Berishën, deri dje i serviloseshit. Në 13 muaj keni ndryshuar 100 herë qëndrimin ndaj z.Berisha, nga heroi i kombit.

Bardhi: Jo, ti ke ndryshuar qëndrim për z.Berisha dhe kjo është e vërtetë.

Sejamini: Jo, edhe sot i them të ikë. Ta shpjegova.

Bardhi: Unë e dija që të ka futur në politikë z.Berisha.

Sejamini: E di gabim. Edhe historinë e Partisë Demokratike e ke mësuar vonë dhe në mënyrë sipërfaqësore.

Bardhi: Ti më ke thënë: në politikë më ka futur Sali Berisha.

Sejamini: Qenke edhe trillues. Unë kam qenë kandidat për deputet i PD-së.

Bardhi: Po kush të bëri?

Sejamini: Partia Demokratike.

Bardhi: Sali Berisha.

Sejamini: E ka themeluar unë Partinë Demokratike që ti po e gëzon sot, që po i mban vulën sot.