AKTUALITET, 4 Maj 2026, 12:34

Tragjedia/ Zv kryeministrja, homazhe për dy të miturit: Nevojë për më shumë përgjegjësi! Duhet të garantojmë standarde më të larta sigurie

Tragjedia/ Zv kryeministrja, homazhe për dy të miturit: Nevojë

Zëvendës kryeministrja, Albana Koçiu, e shoqëruar nga kryebashkiakja e Durrësit Emirjana Sako, ka bërë homazhe në familjet e dy fëmijëve të mitur që ndërruan jetë tragjikisht në aksidentin e mesditës së të dielës.

Koçiu shprehu dhimbjen për humbjen e të miturve, duke theksuar se kjo është një tragjedi që nuk mund të ngushëllohet me fjalë.

Zëvendës kryeministrja Koçiu thekson se kjo tragjedi është një thirrje që na përball me nevojën për më shumë përgjegjësi dhe respektim të standardeve dhe ligjit.

Sipas saj, është e nevojshme që të garantohen standarde të larta sigurie në çdo hapësirë, duke mos lejuar asnjë neglizhencë me pasoja të parikuperueshme për jetën.

“Kjo tragjedi është një thirrje e dhimbshme që na përball me nevojën e domosdoshme për më shumë përgjegjësi, për respekt të palëkundur ndaj rregullave, standardeve dhe ligjit, por mbi të gjitha për një ndërgjegje më të lartë njerëzore.

Është detyra jonë e përbashkët të kërkojmë dhe të garantojmë standarde të larta sigurie në çdo hapësirë, duke mos lejuar asnjë neglizhencë me pasoja të parikuperueshme për jetën.“, shkruan mes të tjerash ajo.

REAGIMI I PLOTË:

Në këtë ditë të rëndë që ka tronditur çdo familje shqiptare, ndava nga afër dhimbjen me familjet që humbën engjëjt e tyre.

Është një dhimbje që nuk shpjegohet, nuk ngushëllohet e nuk kalon me asnjë fjalë apo përpjekje njerëzore. Kur jeta këputet në lulëzimin e saj më të pafajshëm, çdo ngushëllim është i vogël dhe i pafuqishëm.

Prindërit mbajnë mbi supe një peshë që asnjë zemër nuk duhet ta njohë. E vetmja gjë që mbetet është të qëndrojmë pranë tyre dhe të lutemi që të gjejnë forcë për të jetuar me këtë plagë që do të mbetet gjithmonë e hapur.

Kjo tragjedi është një thirrje e dhimbshme që na përball me nevojën e domosdoshme për më shumë përgjegjësi, për respekt të palëkundur ndaj rregullave, standardeve dhe ligjit, por mbi të gjitha për një ndërgjegje më të lartë njerëzore.

Është detyra jonë e përbashkët të kërkojmë dhe të garantojmë standarde të larta sigurie në çdo hapësirë, duke mos lejuar asnjë neglizhencë me pasoja të parikuperueshme për jetën.

U prehshin në paqe engjëjt e vegjël. Drita e tyre u bëftë forcë për prindërit në këtë rrugëtim të pafundmë dhimbjeje.

NGJARJA

Aksidenti i rëndë u shënua mesditën e 3 majit në zonën e ish-kënetës në Durrës, ku Nikoll Radaçi, 57 vjeç, teksa drejtonte automjetin tip “Mercedes-Benz ML” me shpejtësi të lartë, përplasi tre fëmijët të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç, që ndodheshin në trotuar. Dy prej tyre, 10 dhe 12 vjeçari, ndërruan jetë në vendngjarje, ndërsa 8-vjeçari u dërgua në gjendje të rëndë në spital.

Drejtuesi i mjetit rezultoi në gjendje të dehur në momentin e aksidentit. Pas ngjarjes, ai u largua nga vendi i aksidentit, por u vu në pranga më pas nga policia. 57-vjeçari rezultoi se ishte ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, përfshirë parakalime të gabuara dhe tejkalim shpejtësie ndërsa i ishte pezulluar patenta nga 1 muaj.

Ndaj tij rëndojnë akuzat për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen e dy personave, “Drejtim i automjetit në gjendje të dehur” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”.

Tragjedia/ Zv kryeministrja, homazhe për dy të miturit: Nevojë