AKTUALITET, 4 Maj 2026, 11:52

Anëtarësimi në BE/ Akuzat e opozitës, Hoxha: S’ka bllokim negociatash! Rekomandimet e Komisionit për objektivat e ndërmjetëm, pozitive

Anëtarësimi në BE/ Akuzat e opozitës, Hoxha: S’ka

Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha hodhi poshtë akuzat e opozitës se procesi i integrimit është bllokuar. Duke raportuar në Komisionin e Jashtëm përballë deputetëve, ministri Hoxha tha se integrimi vijon normalisht, në përputhje me planet e bashkëpërcaktuara me BE.

“Objektivi ynë është i qartë: të bëjmë pjesën tonë me seriozitet dhe të ecim përpara në përputhje me ambicien tonë dhe planin e përbashkët me Komisionin Evropian, duke iu afruar çdo ditë e më shumë realizimit të synimit tonë strategjik, anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian në horizontin 2030”, tha ministri Hoxha.

Kryediplomati shqiptar theksoi se për vendin tonë prioritet mbetet hallka e radhës, kalimi i pikave të ndërmjetme IBAR, për të cilat ende nuk ka një vendim nga Brukseli. Miratimi i piketave të ndërmjetme do t’i hapte rrugë rrugë procesit të mbylljes së kapitujve të negocimit.

Ministri Hoxha theksoi se raporti që i është dorëzuar Këshillit të BE-së nga Komisioni, për Vlerësimin e pikave të ndërmjetme (IBAR), ka qenë pozitiv për Shqipërinë.

“Ajo që dimë me siguri është se rekomandimet e Komisionit për Këshillin kanë qenë pozitive, duke njohur progresin e arritur dhe përmbushjen e piketave, si dhe duke rekomanduar vijimin e procesit drejt miratimit të tyre”, theksoi Hoxha.
Ministri Hoxha hodhi poshtë të gjitha akuzat se ka pasur veto nga shtetet anëtare për Shqipërinë, duke theksuar se brenda vitit 2030 vendi ynë do jetë pjesë e familjes Europiane.

“Në debatin publik është pretenduar mëse një herë se procesi është bllokuar, se vende të caktuara kanë vënë veto (pretendohej për 9 të tilla) apo se Shqipëria nuk po avancon më. Duke mirëkuptuar interesin e veçantë për këtë proces dhe respektuar debatin publik pavarësisht qasjes, dëshiroj ta them qartë dhe me përgjegjësi: këto pretendime nuk qëndrojnë.

Nuk ka pasur dhe nuk ka bllokim, nuk ka pasur dhe nuk ka veto nga asnjë shtet anëtar. Procesi ka vijuar dhe vijon normalisht. Edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë e ka konfirmuar publikisht këtë fakt. Progresi i dukshëm i vendit në negociata është theksuar në mënyrë të përsëritur, disa herë, nga Komisionerja Kos dhe Përfaqësuesja e Lartë Kallas”, vijoi Hoxha.
Miratimi i IBAR-it nga vendet anëtare do t’i krijonte Shqipërisë mundësinë që të hynte në fazën e mbylljes së bisedimeve për kapitujt.