AKTUALITET, 24 Shtator 2024, 15:18

“Drejtori i ri i Policisë, i paracaktuar”/ Salianji: Rrumbullakun e bënë “kokë turku” për skandalin e TIMS

“Drejtori i ri i Policisë, i paracaktuar”/ Salianji:

Deputeti i PD-së, dhe njëherazi anëtar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Ervin Salianji e quajti proces farsë dhe të paracaktuar garën për zgjedhjen e drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Salianji thotë se konkursi për numrin një të Policisë së Shtetit po përdoret si tender te grupet kriminale.

Salianji iu referua edhe largimit të Muhamet Rrumbullakut, duke deklaruar se ai u bë “kokë turku” për shkak të skandalit të TIMS.

Sipas tij, ish-kreu i Policisë dështoi në mbulimin e çështjes së keqpërdorimit të të dhënave të sistemit TIMS, gjetjet e të cilit u bënë publike edhe nga komisioni hetimor parlamentar i drejtuar nga deputeti demokrat, dhe pasoja për Rrumbullakun, shtoi Salianji, do të ishte largimi nga detyra.

“Gara për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë është farsë. Komisioni që përzgjedh kandidaturat është politik. Pikët do t’i vendosin këta. Rrumbullaku u largua se nuk e mbuloi mirë skandalin e TIMS. E kemi thënë në komisionin hetimor dhe koka e turkut do të ishte ai, i hoqën të gjithë ata që kishin të bënin me atë skandal. Ishte dorëheqje e detyruar. E detyruan. As nuk takohej më nga ministri, deri në momentin që dha dorëheqjen. Dorëheqjen nuk e nxori Rrumbullaku, por Ministria. Gledis Nanos i këruan dorëheqjen, nuk e dha, u tha më shkarkoni, e shkarkuan dhe sot Gledis Nano merr rrogën si drejtor. Rrumbullakut i kanë lënë detyrën që të bëjë ndërhyrjen në TIMS, çedoi në mbulimin e ngjarjes dhe e larguan. Zgjedhja e drejtorit të ri të policisë nuk ka kritere pikëzimi, as profesionale, as grade, është kot. Është tenderim te grupet kriminale se cili do të influencojë më shumë për zgjedhjen e drejtorit.

Se kush do të jetë, po tua them emrin do të duhet sikur influencoj apo kam interes për kandidatët në garë. E gjithë gara është farsë. Një pjesë e madhe e këtyre që janë në garë do jenë drejtorë qarqesh. Aty kishte emra në kërkim, ai kishte hyrë aty, këta nuk e gjejnë. Ministri tha se do jetë gjeneratë e re, ku e di ministri? E kanë paracaktuar dhe thotë hajde të bëjmë një garë, ca emra”, u shpreh Salianji.