AKTUALITET, 24 Shtator 2024, 11:59

'Sterilizimi', ish-anëtari Byrazeri dëshmon: U dorëhoqa më 5 Maj 2015 pasi mbarova studimin e Fizibilitetit! Firmosa vetëm për punën time

'Sterilizimi', ish-anëtari Byrazeri dëshmon: U dorëhoqa

Po vijon edhe sot punimet Komisioni Hetimor për Sterilizimin dhe Check-Up në Shëndetësi.

I thirrur për dëshmi ka qenë Genc Byrazeri, në cilësinë e ish-anëtarit të Komisionit të Koncesionit për Sterilizimin, KVO, pedagog i Fakultetit të Mjekësisë.

Teksa e nisi fjalën e tij me një studim vlerësues ndërkombëtar, ku përfshihej edhe emri i tij, ai i kërkoi anëtarëve deputetë të Komisionit që të “kishte minutat e famës së tij, si e drejtë kushtetuese që nuk ia merrte askush dhe që të kishte mesazhe pozitive dhe jo vetëm të nxihej me dokumente”.

Kryetarja Albana Vokshi ndërhyri duke i kujtuar se “Komisioni kishte si qëllim që të parandalonte abuzimet në shëndetësi, për të nxjerrë të vërtetat dhe të mos ndodhnin shkelje”.

Byrazeri u shpreh se prej vitit 2011-2019 ka qenë edhe si specialist i Institutit të Shëndetit Publik si i jashtëm, që në kohën kur ministër ishte Petrit Vasili, pasi punonte dhe pedagog te Fakulteti i Mjekësisë.

“Në vitin 2014 ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja më emëroi si një nga  anëtarët e Komisionit të Koncesionit. S’kam qenë pjesë organike apo hierarki administrative. Jam dorëhequr më 5 Maj 2015, dorëheqje për arsye personale, pak pasi mbaroi studimi i Fizibilitetit për koncesionin, pasi kjo ishte detyra ime dhe për këtë përgjigjem.

Jam gati të flas e përgjigjem për çfarë përmban pozicioni im për studim fizibiliteti dhe kur mbaroi jam larguar”, tha Byrazeri.
Më tej tha se ishte zëvendësuar me një urdhër të ish-ministrit Beqja me një anëtar tjetër. Byrazeri këmbënguli se i është përmbajtur vetëm detyrës së tij të përcaktuar edhe nga  urdhri i ministrit dhe jo për çështjet e tjera.

Byrazeri mbrojti studimin e tij të fizibilitetit, duke konstatuar problematikën e ndotjes dhe infeksioneve në qendrat spitalore ku ishte caktuar që të kryente kërkime shkencore.

“Një pjesë janë marrë parasysh nga konstatimet e bëra dhe një pjesë jo. Ky është vetëm një studim fizibiliteti dhe vendimet i marrin të tjerët. Një pjesë u morën parasysh dhe shumë mirë u bë, por detyra ime kjo ishte. Ndaj edhe kam firmosur, sepse profesioni im është mjek epedimiolog, të kontrolloj gjendjen, gjithmonë për pjesën time. Unë kam firmosur për pjesën time”, tha Byrazeri.