AKTUALITET, 27 Shkurt 2026, 13:57

Dorëzimi i sistemeve raketore JAVELIN/ E Ngarkuara me Punë, VanHorn: Rritje e angazhimit për sigurinë. Vengu: Privilegj ta udhëhiqja këtë ministri

Dorëzimi i sistemeve raketore JAVELIN/ E Ngarkuara me Punë, VanHorn:

E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA, Nancy VanHorn mori pjesë në aktivitetin e dorëzimit të sistemeve raketore JAVELIN, ku mbajti edhe një fjalim përshëndetës.

Diplomatja amerikane tha se rritja e angazhimit për sigurinë është një pagesë paraprake për paqen përmes forcës.

VanHorn foli për rritje të shpenzimeve të mbrojtjes, ndërsa theksoi se fokusi duhet tek gatishmëria luftarake dhe modernizimi i ushtrisë.

“Rritja e angazhimit tuaj për sigurinë është një pagesë paraprake për paqen përmes forcës. Kjo paradhënie kërkon jo vetëm rritjen e shpenzimeve  të mbrojtjes, por një fokus të qëndrueshëm në gatishmërinë luftarake dhe modernizimin ushtarak”, tha VanHorn.

E Ngarkuara me Punë vlerësoi kontributin e Shqipërisë me trupa ushtarakë me misione në mbarë botën.

“Mjedisi me të cilin përballemi është që kërkon që të gjithë aleatët të bëjnë pjesën e tyre. Në emër të SHBA dua të vlerësoj kontributin tuaj me trupat ushtarake për NATO dhe misionet ushtarake në mbarë botën”, deklaroi VanHorn.

Ndersa ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu gjatë dorëzimit të  sistemeve raketore JAVELIN në Komandën e Forcës Tokësore në Zall Herr tha se ishte privilegj që të mbante postin e Ministrit të Mbrojtjes një ditë pasi kryeministri Edi Rama e shkarkoi nga ky post.

 “Është kënaqësi në këtë moment tranzitimi të detyrës time të linim këtë shenjë sot së bashku me partnerët tanë. Sot dorëzojmë në forcën tokësore sistemin JAVELIN, të porositur prej vitesh. Ky nuk është vetëm një simbol force, por është edhe një mesazh qarëtësie strategjike.

Investimi në mbrojtje nuk merr duartrokitje në fillim por është i rëndësishëm. Shqipëria nën orientimin e SHBA ka investuar në kohë paqeje me plan e disiplinë buxhetore. Mbrojtja nuk është një luks. Shtetet serioze investojnë në kohën e duhur dhe jo kur është vonë", tha Vengu.