AKTUALITET, 1 Korrik 2026, 22:06

Dita e 32-të e protestës/ Qytetarët vijojnë rezistencën, revolta do të vijojë edhe para Parlamentit

Dita e 32-të e protestës/ Qytetarët vijojnë

Protesta qytetare kundër qeverisë në Tiranë ka shënuar këtë të mërkurë ditën e 32-të të tubimit, me qytetarët që janë mbledhur fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas kanë marshuar drejt Kryeministrisë, ku kanë shprehur kërkesat e tyre politike dhe sociale.

Kërkesa kryesore e protestuesve vijon të jetë largimi i kryeministrit Edi Rama, ndërsa organizatorët kanë deklaruar se tubimet do të vazhdojnë deri në përmbushjen e këtij objektivi.

Gjatë protestës janë shfaqur pankarta me mesazhe të ndryshme politike dhe sociale, ndër të cilat: “32 ditë Shqipëria nuk hesht”, “Rama n’burg”, “Me 5 mijë lek pensionistëve nuk blihet heshtja jonë”, “Kur Ramës i mbaron argumenti, fillon fyerja”, “Populli proteston. Përgjegjësia mungon” dhe “Kur të lodhet Goni mbaron revolucioni”.

Dita e 32-të e protestës/ Qytetarët vijojnë

Një grup studentësh u bënë pjesë e tubimit duke folur për aksionin simbolik të zhvilluar dy ditë më parë, kur shpalosën një banderolë në godinën e Universitetit Politeknik të Tiranës me mesazhin: “Ju erdhi fundi! Shqipëria nuk është në shitje!”.

Studentët thanë se zgjedhja e Politeknikut lidhet me simbolikën që ka universiteti dhe pozicionin e tij përballë Kryeministrisë, ndërsa theksuan se ka shumë arsye për të protestuar, duke përmendur edhe problematikat në sistemin arsimor.

Një tjetër moment i veçantë i protestës ishte prezantimi i një “busti” që krahasonte kryeministrin Edi Rama me ish-diktatorin Enver Hoxha. Gjatë tubimit u dëgjuan edhe thirrje si: “Do të të rrëzojmë si Enver Hoxha”.

Dita e 32-të e protestës/ Qytetarët vijojnë

Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Mit’hat Havari, iu bashkua protestës dhe kritikoi dhunën e ushtruar nga policia gjatë protestës së një dite më parë para Kuvendit. Ai e cilësoi atë si të pajustifikueshme dhe foli për problematikat me të cilat, sipas tij, është përballur Policia e Shtetit ndër vite.

Havari deklaroi se përdorimi i dhunës nga policia ishte joproporcional,
se qytetarët që protestojnë nuk duhet të trajtohen me forcë dhe se Policia e Shtetit ka qenë një institucion i keqpërdorur dhe i keqtrajtuar ndër vite.

Gjatë protestës folën edhe qytetarë të tjerë, të cilët ngritën shqetësime për situatën ekonomike, qeverisjen dhe funksionimin e institucioneve.

Një prej protestuesve kritikoi socialistët Erion Braçe dhe Taulant Balla, si dhe kreun e opozitës Sali Berisha, duke kërkuar ndryshime dhe hetime për çështje që ai ngriti gjatë fjalës së tij.

Një qytetar tjetër u ndal te vështirësitë ekonomike, duke treguar se rritja e qirave dhe kostot e jetesës e kanë bërë të vështirë përballimin e shpenzimeve me pensionin që merr, duke e detyruar të marrë borxh në fund të muajit.

Pas fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin në rrugët e Tiranës, duke ndjekur itinerarin e zakonshëm të protestës. Gjatë marshimit u dëgjuan thirrje si: “Rama, jep dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Revolucion”.

Dita e 32-të e protestës/ Qytetarët vijojnë

Ndërkohë, protestuesit kanë paralajmëruar se do të rikthehen sërish para Kuvendit ditën e nesërme, në orën 10:00, me qëllim që të kundërshtojnë hyrjen e deputetëve në seancën plenare.

Në fund të tubimit, protestuesit përsëritën se kërkesa e tyre mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe se protestat do të vijojnë deri në realizimin e saj, duke bërë apel për pjesëmarrje sa më të gjerë në ditët në vijim.