AKTUALITET, 6 Shtator 2022, 10:45

Delina Ibrahimaj prezanton paketën anti-krizë: 6.1 miliard lekë! Synon përballimin e krizës dhe rritjes së mëtejshme të çmimeve

Delina Ibrahimaj prezanton paketën anti-krizë: 6.1 miliard lekë!

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj ka prezantuar në Komisionin e Ekonomisë planin për paketën anti-krizë për pjesën e mbetur të vitit 2022.

Ibrahimaj u shpreh se kjo paketë parashikon një shumë prej 6.1 miliardë lekësh me qëllim përballimin e mëtejshëm të rritjes së çmimeve.

“Është përgatitur skenari i rishikimit të dytë të buxhetit për vitin 2022 për të mbështetur sektorët e impaktuar nga kriza.

Ky rishikimi i buxhetit ka synim shtrirjen e paketës financiare me qëllim përballimin e mëtejshëm të rritjes së çmimeve, me kosto 6.1 miliardë lekë. Mbështetur në vlerësimin e ecurisë së deritanishme paraqesim propozimet konkrete për rishikimin e buxhetit”, tha ajo.

Ibrahimaj shtoi se akti normativ parashikon disa ndryshime kryesore të politikës fiskale ndërsa shtoi se janë alokuar fonde për ndihmat sociale, kompensimin e mëtejshëm për inputet kryesore për investimet publike dhe emergjenca të tjera që mund të dalin gjatë vitit.

“Ky akt normative parashikon një rritje reale ekonomike me 3.2%.  Gjasat janë që rritja ekonomike në vitin 2022 të jetë më lart se 3.2%. Presim të dalin të dhënat e tre mujorit të dytë për rritjen ekonomike dhe punësimin. Rritja në tremujorin e parë ishte në nivelin 6%.

Nga ana tjetër, rritja ishte shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë. Kontributin kryesor e kishte ndërtimi. Treguesit tregojnë për rritje në tremujorin e dytë, dhe në muajin e parë të tremujorit të tretë. Është një rritje e ndikuar jo vetëm nga rritja e çmimeve por edhe nga rritja e treguesve ekonomikë.

Akti normativ parashikon disa ndryshime kryesore të politikës fiskale. Mundëson një rritje totale. Janë alokuar fonde për ndihmat sociale. Për kompensimin pjesërisht për inputet kryesore në investimet publike. Janë mundësuar alokime të tjera për nevoja emergjence që mund të dalin gjatë vitit.

Ky akt normativ redukton defiçitin buxhetor. Nisur nga lufta në Ukrainë, reduktimi me i ligj i defiçitit buxhetor për ruajtjen e financave publike dhe stabilitetin makro ekonomik të vendit gjykoj se është në interesin më të mirë të publikut në tërësi.

Në këtë akt normative është bërë një reduktim i tavanit të deficit buxhetor me 17 miliardë lekë. Borxhi publik total për këtë vit pritet të ulet në krahasim me vitin e shkuar.

Ky tregues do të jetë i ndikuar nga variabla të tjerë makro ekonomikë. Ky akt normative parashikon një rënie të të ardhurave.  

Ndryshimet e propozuara do të shërbejnë për qëndrueshmërinë e ekonomisë deri në fund të vitit 2022”, tha Delina Ibrahimaj.