AKTUALITET, 12 Nëntor 2023, 19:52

Deklarata e juristëve shqiptarë: Apelojmë armëpushim të menjëhershëm dhe lirim të pengjeve izraelitë, autorët e krimeve të mbajnë përgjegjësi

Deklarata e juristëve shqiptarë: Apelojmë armëpushim të

Katër juristë shqiptarë, anëtarë të degës shqiptare të Shoqatës së Drejtës Ndërkombëtare (International Law Association/ILA), përmes një deklarate mbi përshkallëzimin e konfliktit izraelito-palestinez që nga 7 tetori 2023, shprehën shqetësimin për përshkallëzimin e dhunës në territorin e pushtuar Palestinez si dhe bindjen se komuniteti ndërkombëtar pret që përgjegjësit për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera të paktën që nga 7 tetori 2023 të mbajnë përgjegjësi.

Anëtarët e degës shqiptare të ILA-s ne apeluan për një armëpushim të menjëhershëm dhe lirim të pengjeve izraelitë.

Deklarata e juristëve shqiptarë

Si anëtarë të degës shqiptare të Shoqatës së Drejtës Ndërkombëtare (International Law Association/ILA) ne shprehim shqetësimin tonë të madh për përshkallëzimin e dhunës në territorin e pushtuar Palestinez që nga sulmi i 7 tetorit 2023 nga militantët e Hamasit, që rezultoi në rreth 1,200 izraelitë të vrarë dhe disa mijëra të plagosur, dhe rreth 240 të marrë peng, duke përfshirë fëmijë dhe të moshuar. Që atëherë, për shkak të veprimeve ushtarake nga ushtria izraelite, më shumë se 11,000 palestinezë janë vrarë dhe mbi 27,000 janë plagosur. Për më tepër, për shkak të bllokadës thuajse të plotë të Rripit të Gazës nga energjia elektrike, ushqimi dhe uji dhe ilaçet, çdo ditë që kalon 2,3 milionë banorët e saj janë në rrezik të shtuar të një katastrofe humanitare.

Të gjitha aktet e dhunës direkte dhe të terrorit kundër civilëve izraelitë dhe palestinezë bien ndesh me detyrimet e palëve ndërluftuese në bazë të së drejtës ndërkombëtare. E njëjta vlen për nxitjen e akteve të dhunës dhe gjuhës dehumanizuese të përdorur në publik nga zyrtarë të lartë shtetërorë. Palët në konfliktin e armatosur duhet të respektojnë rreptësisht parimet e dallimit, proporcionalitetit, domosdoshmërisë ushtarake dhe masave paraprake në sulm, siç parashikohen nga e drejta ndërkombëtare humanitare.

 Dhuna e armatosur ka prekur Bregun Perëndimor, Jeruzalemin Lindor dhe Izraelin, si dhe vendet fqinje, dhe ekziston një rrezik i lartë i përshkallëzimit të konfliktit në rajon dhe më gjerë. Shqetësimi për situatën është shprehur nga shumë palë të interesuara, duke përfshirë Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më 26 tetor 2023, përmes rezolutës së saj (A/ES-10/L.25); Kryeprokurorin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) më 30 tetor; shumë ekspertë të të drejtave të njeriut të OKB-së, veçmas ose së bashku, ndër të tjera më 12 tetor, 13 tetor, 14 tetor, 17 tetor, 19 tetor, 23 tetor, 2 nëntor dhe 8 nëntor; Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së në disa raste; dhe Komisionerin e Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, së fundmi më 10 nëntor. Pothuajse pa dallim, këta zyrtarë të rëndësishëm ndërkombëtarë kanë bërë thirrje për një armëpushim humanitar ose një armëpushim, bazuar në tre imperativa të ndërlidhura, që përfshijnë lejimin e ndihmës humanitare në Gaza për të shpëtuar popullsinë civile nga katastrofa humanitare; lirimin e të gjithë pengjeve izraelitë pa vonesë; dhe, dhënien fund të pushtimit izraelit të territoreve palestineze dhe sigurimin pa vonesë të së drejtës të popullit palestinez për vetëvendosje.

Pavarësisht rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, thirrjeve të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut, si dhe shteteve të ndryshme për armëpushim humanitar apo armëpushim, qeveria izraelite vazhdon fushatën e saj të ndëshkimit kolektiv të popullsisë së Gazës. Përveç humbjeve të mëdha të jetëve njerëzore dhe lëndimeve të rënda si pasojë e operacioneve ushtarake të ushtrisë izraelite, të regjistruara në baza ditore nga OKB-ja dhe organizata të tjera, sipas Këshillit Norvegjez të Refugjatëve dhe Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, të paktën 45% e banesave në Gaza raportohen të shkatërruara ose të dëmtuara.

Shprehim bindjen tonë se komuniteti ndërkombëtar pret që përgjegjësit për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera të paktën që nga 7 tetori 2023, por që mbulojnë të gjithë periudhën e situatës së Palestinës përpara GJNP-së, të mbajnë përgjegjësi. Kryeprokurori i GJNP-së duhet t’i japë përparësi punës për situatën në Palestinë dhe Asambleja e Shteteve Palë duhet t’i sigurojë Gjykatës burimet që i nevojiten për të kryer këtë punë.

Së fundi, si anëtarë të degës shqiptare të ILA-s ne apelojmë për një armëpushim të menjëhershëm dhe lirim të pengjeve izraelitë. Ne presim që Këshilli i Sigurimit dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe shtetet kyçe, të ndërmarrin hapa të menjëhershëm me synimin për të arritur sa më shpejt të jetë e mundur, bazuar në të drejtën ndërkombëtare, një zgjidhje të negociuar për krijimin e një shteti palestinez, që ekziston krah për krah me Izraelin dhe fqinjët e tij të tjerë, me paqe dhe siguri për të gjithë në rajon, ashtu siç është kërkuar në mendimin këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që në vitin 2004.

Tiranë, 11 nëntor 2023

Dr. Gentian Zyberi, President

Dr. Erjon Muharremaj, zv/President dhe arkëtar

Dr. Rudina Jasini, anëtare

Dr. Furtuna Sheremeti, anëtare