AKTUALITET, 16 Korrik 2025, 17:45

Daja i Shabanit të Oksfordit prish marrëveshjen e koalicionit, Adriatik Lapaj mbetet jashtë Kuvendit

Daja i Shabanit të Oksfordit prish marrëveshjen e koalicionit,

Strategjia e koalicionit "Nisma Shqipëria Bëhet" për të garuar me lista të hapura, nëpërmjet një artifice, ka dështuar përfundimisht. 

Sipas marrëveshjes së këtij koalicioni, kandidati më i votuar i listës së hapur, do të futej në Kuvend, ndërkohë që kandidatët fiktivë të listës së mbyllur, familjarë të kandidatëve realë, do të jepnin dorëheqjen. Deri tani, të gjithë e kanë mbajtur fjalën, përveç njërit, kandidatit me emrin Zeqir Kordhoni, daja i Endri Shabanit, i cili ka depozituar në KQZ një letër, ku kërkon mandatin. 

Si pasojë e kësaj lëvizje, Adriatik Lapaj, më i votuari i Nisma Shqipëria Bëhet, nuk do të mund të hyjë në Kuvend, siç parashikonte marrëveshja.

Edhe pse Endri Shabani doli në disa intervista televizive, ku deklaroi prerë se Zeqir Kordhoni, pra daja i tij, nuk do ta marrë mandatin, duket se e gjitha ka qenë një teatër, pasi Kordhoni i ka ndërmarrë të gjitha hapat procedurialë për të kërkuar mandatin.

Ai vetë, me gjasë nuk do të shkelë kurrë në Kuvend, pasi është renditur i nënti dhe Lapaj do të marrë masa që mandati të mbetet brenda partisë së tij, por veprimet e Kordhonit edhe pse nuk fiton asgjë vetë, qartazi sabotojnë mandatin e Lapajt. Ndaj natyrshëm lindin dyshime, nëse Zeqir Kordhoni po vepron sipas interesit të tij, apo të nipit të tij Endri Shabani, i cili vetë dështoi dy herë për të fituar mandatin e deputetit, për shkak të votave minimale, ndërkohë që tani duket se po fundos edhe partnerin e tij në koalicion. 

Kujtojmë se Endri Shabani, është një politikan që i ka mëshuar gjithnjë idesë se elita politike duhet të shembet dhe të rinjtë, si puna e tij, duhet të vijnë në pushtet për të rregulluar vendin. Por, politika shqiptare nuk e kishte arritur kurrë këtë nivel primitivizmi, që një kryetar partie të fusë dajën në Parlament nga "dritarja". Kjo ngjarje duket se ia kalon për nga niveli i groteskut, edhe futjes në Kuvend të "kërpëratave" të PD-së dhe do të mbetet përgjithmonë në memorien kolektive, si një nga barcaletat më interesante të zgjedhjeve shqiptare.