AKTUALITET, 12 Tetor 2022, 08:47

"Butrinti do të bëhet si Durrësi"/ Qeveria "rrëmbeu" 13 mijë hektarë tokë shtetërore në bregdet, në Kepin e Stillos resorti gjigand me 636 vila

"Butrinti do të bëhet si Durrësi"/ Qeveria
Foto ilustruese e bregdetit shqiptar

Ndërsa është shtuar sipërfaqja e zonave të mbrojtura në brendësi të vendit, sipërfaqja e vijës bregdetare ka pësuar një rrudhje drastike. E thënë më qartë, rreth 13 mijë hektarë tokë që ndodhen buzë brigjeve të Jonit dhe Adritiakut, iu hoq statusi që i mbronte nga ndërhyrjet, duke i kthyer në zona të lira për ndërtime.

I gjithë procesi i rishikimit të kufijve të zonave të mbrojtura ka sjellë një rritje në total të sipërfaqes në 21.3%, por në vijën bregdetare kemi humbur rreth 13% të sipërfaqes.

Në brezin bregdetar shtrihen një numër i lartë i zonave të mbrojtura me një sipërfaqe totale prej rreth 120 mijë hektarësh ose 23.6% të gjithë sipërfaqes së rrjetit të zonave të mbrojtura në Shqipëri.

Të njohura për veçoritë e jashtëzakonshme për florën dhe faunën, një pjesë e tyre ekosisteme ligatinore të egra, të mbrojtura dhe të njohura ndërkombëtarisht si zona Ramsar dhe Emerald, u është vënë “sopata”, pa respektuar mbrojtjen që gëzojnë.

Kepi i Stillos, që ndodhet poshtë fushës së Butrintit, në skajin më jugor të vendit dhe që deri më tani ka qenë thuajse i paprekur, do të shndërrohet në një resort gjigand luksi, me plot 636 vila.

Ky resort mori dritën jeshile, falë vendimit të komitetit të Investimeve në shkurt 2021 “si investitor potencial strategjik”. Investimi kap shifrën e 78 mln euro dhe do të realizohet nga “Jonian heaven group”.

I vendosur në një sipërfaqe prej 128 hektarësh, gjurma e këtij projekti shtrihej brenda zonës së mbrojtur të Butrintit. Për këtë projekt ka dy vendime kontradiktore. I pari i paraqitur në dhjetor të vitit 2020 , u refuzua pas kundërshtive të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.

Por vetëm 2 muaj më pas propozime erdhi sërish pranë komitetit të Investimeve, dhe këtë herë u miratua. Sipas Agjencisë, projekti shtrihej brenda zonës së mbrojtur në Parkun Kombëtar të Butrintit dhe konkretisht kompleksit ligatinor të Butrintit.

Agjencia Kombëtare e zonave të Mbrojtura po ashtu thekeson se kjo zonë është shpallur edhe “Zonë Ramsar”, si dhe bën pjesë në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s, ndaj qeveria shqiptare duhet të njoftojë komitetin e Trashëgimisë Botërore për çdo projekt që ndërmerret në zona që mbrohen nga kjo konventë. Kjo zonë mbetet e tillë edhe pas ndryshimit të hartave të reja, por qeveria është mjaftuar të ngarkojë institucionet me përgjegjësi dhe të kategorizojë zonën në funksion të insvestimti strategjik.

“Në momentin që një qeveri ka një interes që bie ndesh me nocionon e zonës së mbrojtur dhe bën ndryshime të zonës së, mbrojtur kjo i hap rrugë çdo ndryshimi në të ardhmen dhe bie koncepti i zonës së mbrojtur si një sipër me integritet territorial që duhet ruajtur për brezat e ardhgshëm” u shpreh Aleksandër Traçja, Ekspert Biodiversiteti, PPNEA.

Fati” i këtij gjiri duket se është parashkruar edhe për të gjithë zonën bregdetare që më parë bënte pjesë në parkun Kombëtar të Butrintit.

Butrinti, një mikrokozmos i historisë së Mesdheut, u shpall Monument Kulture në vitin 1948; më 1999 u regjistrua në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s; më 2003 kompleksi ligatinor, përfshirë dhe pjesën e lagunës dhe zonën bregdetare të Butrintit-Kepin e Stillos-u shpallën Zonë Ramsar dhe Park Kombëtar. Siti i Butrintit në jug të Shqipërisë përfshin një diversitet natyror, gjysmë natyror dhe habitate artificiale që strehon një diversitet të madh kafshësh dhe bimësh, me rëndësi kombëtare dhe globale. Kjo gjë që e bën Butrintin një nga zonat më të rëndësishme për biodiversitetin në Shqipëri. Megjithatë këto të drejta që ai gëzon nuk e mbrojtën dot nga rrudhja e kufijve.

“Është më tepër precedenti që hapet, ku mesazhi që jepet që zona e mbrojtur është një sipërfaqe fluide, e lëvizshme, që çfarëdo interesi të ketë çdo qeveri që do të vijë nesër ose pasneser mund ta ndryshojë sipas interesit momental që ka”, u shpreh Aleksandër Traçja, Ekspert Biodiversiteti, PPNEA.

Referuar hartave të reja të miratuara, ky park ka pësuar edhe goditjen më të rëndë, duke i hequr rreth 800 ha përgjatë vijës bregdetare. Ai gëzonte statusin e zonës së mbrojtur në kategorinë “B”, që prej vitit 2005 dhe nuk lejoheshin zhvillime ndërtimore intensive.

Gjiri i hartës, Plazhi i bukur i Pasqyrave, Pulëbardhat tashmë kanë dalë nga zona e mbrojtur.
Siç e shikoni edhe nga kjo hartë, zonat me të kuqe, ku përfshihet Ksamili, Manastiri, një sipërfaqe në fshatrat Dritas, Vurg i Ri si dhe fshatrat e njohur Vrinë e Xarë janë hequr nga Parku Kombëtar i Butrintit.

Kjo cenon rëndë vlerat e tij dhe i hap dritën jeshile ndërtimeve të betonit dhe infrastrukturës. E konsideruar zonë me vlera të veçanta dhe që mban statusin Emerald, nga kjo prekje që I është rrezikojmë ta humbasim parkun e Butrintit.

“Zona e Butrintit po vihet nën darën e zhvillimit. Nuk mundet që Butrinti të garantojë cilësinë e vet nëse ne i dëmtojmë ujëkëmbimin me detin”, u shpreh Ferdinand Bego, Pedagog/Shkencat e Natyrës.

Projekti i Gjirit të Manastirit nuk është i vetmi që kërcënojnë dhe zhvillohen në zonat e mbrojtura. Nga dhjetra projekte të miratuara nën mbrojtjen e ligjit për investimet strategjike në turizëm, 5 prej tyre cenojnë zonat e mbrojtura.

Ekspertët janë të bindur se Butrinti dhe i gjithë ekosistemi i tij, do të pushojë së funksionuari si zinxhir natyrore duke u dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme.

“Aty është hequr e gjithë zona literale që përfshin edhe Ksamilin drejt Manastritit të Demës edhe më lart. Butrinti nuk mund ta kryejë më funksionin e vet sepse nuk komunikon me detin, me ligatinat.
Është justifikuar me faktin që kjo zonë është dëmtuar dhe i është hapura dera e zonave që kanë qenë të ruajtura Nëse e gjithë kjo zonë që hiqet pushtohet nga ndërtime masive dhe urbanizohet, çfarë ndodh me me parkun Kombëtar për t'u zhvilluar”, u shpreh Ferdinand Bego, Pedagog, Shkencat e Natyrës.

“Ksamili ishte pjesë e një zone të mbrojtur, megjithatë ky fakt nuk u respektua dhe sot Ksamili është i mbipopulluar dhe i mbishfrytëzuar nga ana turistike. megjithatë nuk është sa Durrësi, akoma ka jetë dhe ka vlera natyrore”, u shpreh Ermelinda Mahmutaj, biologe.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura justifikohet se ka hequr Ksamilin, pasi ai i kishte humbur vlerat për shkak të urbanizimit, por fsheh faktin që së bashku me Ksmalin kanë “fluturur” dhe mjaft zona të paprekura.

“Nuk mundet të ketë zona rezidenciale, hotele sepse kështu do të zhvillohet vendi. Nuk mundet kurrsesi në emër të zhvillimit të shkatërrojmë natyrën. Kur themi që vetëm 22% të zonave kemi të mbrojtura, do të thotë se kemi 78% të territorit është i hapur për zhvillime”, u shpreh Ferdinand Traçja, Pedagog, Shkencat e Natyrës. /Top Channel