TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Analisti Andi Bushati, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ka folur për tubimin që do të mbahet në Tiranë, në mbështetje të ish drejtuesve të UÇK, duke e konsideruar atë të dëmshëm për Thaçin dhe Veselin që po gjykohen nga Specialja. Sipas Bushatit, tubimi hedh poshtë mbrojtjen e krerëve të UÇK, të cilët po përpiqen të mbrohen duke thënë se ata nuk kanë patur rol drejtues dhe askush nuk i pyeste, ndërkohë që në Tiranë tubimi në mbështetje të tyre, tregon krejt të kundërtën.
"A ndihmohen ata që janë në burg me manifestime të tilla? Kroacia ka qenë e gjitha unike pro Ante Gotovinës, por gjykata e dënoi njësoj, pavarësisht se ishte hero kombëtar. Po të shkosh në gjithë margjinat, nga serbët e Kosovës, te serbët e Bosnjes, kudo kam vajtur, gjen nëpër lokale akoma fotot e Mladic dhe Karadzic, që për shumë serbë janë akoma heronj, por gjykata i dënoi. Nga pikëpamja praktike, këto manifestime nuk ndihmojnë.
Frika ime është, që këto manifestime që vihen në shërbim të fushatave elektorale, mund ti dëmtojnë ata që janë brenda. Kush e ka parë gjyqin ndaj Thaçit, Veselit, shtylla kurrizore e mbrojtjes së tyre, ishte që nuk ishim komandantë dhe nuk na bindej njeri. Dëshimtarët e Thaçit, që nga Rubin, thonë Thaçit nuk i bindeshit. Pra krimet janë bërë pa dijeninë e këtyre. Po tani? Ndërkohë që Thaçi dhe Veseli mbrohen se nuk jemi komandantë, protesta nesër thotë po na dënoni komandantët e lirisë. Një protestë e tillë shkon në drejtim të kundërt me mbrojtjen që bëjnë para gjykatës.
Po të kemi parasysh si ka proceduar gjykata, ka marrë edhe shkrime gazetash, për të treguar se ishin liderë e komandantë. Askush nuk i akuzon që keni shkrepur këmbëzën vet, por për përgjegjësi komanduese. Ata thonë nuk ishim komandantë. Manifestimi i Tiranës, thotë këta janë komandantë. Kjo e rëndon pozitën. Në këtë kuptim, kam frikë se mund ti bëjë dëm", tha ndër të tjera Bushati.