AKTUALITET, 1 Mars 2022, 16:29

Bombardime në Ukrainë dhe vrasjet e civilëve, Blinken kërkon largimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut: Si mund të lejohet të qëndrojë?

Bombardime në Ukrainë dhe vrasjet e civilëve, Blinken kërkon

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken dënoi Rusinë për shkeljen e të drejtave të njeriut pas sulmeve ndaj Ukrainës.

Blinken hodhi idenë e largimit të Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

“Logjikisht vjen pyetja se si një shtet anëtar i OKB-së që përpiqet të marrë nën kontroll një shtet tjetër anëtar të OKB-së, ndërkohë që kryen abuzime të tmerrshme të të drejtave të njeriut dhe shkakton vuajtje masive humanitare, duhet të lejohet të qëndrojë në këtë këshill”, tha Blinken.

Në këshill janë 47 shtete anëtare, të cilat zgjidhen nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, ku një prej tyre është Rusia.

Blinken kritikoi gjithashtu vende si Kina, të cilat kanë mbajtur qëndrim të paanshëm.

“Anëtarët e këshillit duhet të ndalojnë përdorimin e gjuhës që nënkupton se të gjitha palët mbajnë përgjegjësi të barabartë për sulmin e paprovokuar të njërës palë. Kjo nuk është paanshmëri, është e gabuar. E njëjta gjë vlen edhe për anëtarët që argumentojnë, se denoncimi i shkeljeve të të drejtave të njeriut po ‘politizon’ situatën“, tha Blinken.

Blinken sfidoi UNHRC-në që të bashkohej për të parandaluar një luftë edhe më vdekjeprurëse.

“Këto janë shkeljet e të drejtave të njeriut për të cilat ky këshill është krijuar për të ndaluar. Nëse nuk mund të bashkohemi tani, kur do të bashkohemi?” tha Blinken.