AKTUALITET, 20 Shkurt 2026, 12:33

VIDEO/ Koçiu: 726 pasuri të krimit u sekuestruan në 2025, 64 të konfiskuara! I kemi vendosur në dispozicion të shtetit e familjeve të dëshmorëve

VIDEO/ Koçiu: 726 pasuri të krimit u sekuestruan në 2025, 64

Ministrja e Brendshme Albana Koçiu në një konferencë për shtyp ditën e sotme, tregon se në vitin 2025 janë sekuestruar në total 726 pasuri me vlerë deri në 6 miliardë lekë, 64 janë të konfiskuara.

Këto asete, Koçiu sqaron se janë vendosur në dispozicion të institucioneve publike, rreh 20 prej të cilave kanë përfituar. Këto asete gjithashtu janë vendosur dhe në dispozicion të familjeve që kanë një dëshmor, apo punonjës policie që ka humbur jetën në detyrë.

“Deri pak vite më parë, nuk kemi pasur një kuadër ligjor i cili të na mundësojë një trajtim ndryshe apo një trajtim që i jep mundësi që këto pasuri të sekuestruara apo konfiskuara të transferohen tek ata që kanë nevojë, tek viktimat e krimit, familjet dhe ata që kanë vuajtur më shumë pasojat e këtyre veprimeve. Kemi 65 mln euro asete dhe pasuri të sekuestruara dhe konfiskuara, që do të administrohen për nevojat e komuniteteve. Është një nga sfidat më të larta që kemi pasur mundësi ti heqim nga duart e krimit. Tregon dhe mënyrën sesi kemi proceduar dhe forcimin e kapaciteteve tona. Në vitin 2025 726 pasuri prej 6 miliardë lekësh të sekuestruara, të konfiskuara 64 pasuri.

Po këto aseste, janë vendosur në funksion të institucioneve publike, janë 20 institucione publike që kanë përfituar. Këto asete do ti vendosim të dispozicion të pushtetit vendor, me qëllim që bashkitë t’i përdorin këto sipërfaqe për strehim social. Është në nga problematikat që shpesh bashkitë e kanë ngritur si shqetësim. Këto asete kemi vendosur t’i vëmë edhe në dispozicion të familjeve që kanë një dëshmor, apo punonjës policie që ka humbur jetën në detyrë. Është detyrimi ligjor për t’iu ofruar banesë falas dhe këto sete do shërbejnë edhe për të mbështetur familjet e policëve të rënë në krye të detyrës. ”, tha Koçiu.

Ministrja theksoi se për vite me radhë, pavarësisht ekzistencës së legjislacionit, ka munguar një mekanizëm i qartë për administrimin dhe shfrytëzimin e këtyre pasurive. “Sot kemi ngritur një kornizë të plotë ligjore dhe një mekanizëm funksional, që mundëson mobilizimin e aseteve të konfiskuara në funksion të programeve sociale, viktimave të krimit dhe komuniteteve në nevojë”, u shpreh Koçiu.

Vetëm gjatë vitit 2025 janë sekuestruar 726 pasuri, me një vlerë totale mbi 6 miliardë lekë. Prej tyre, 64 pasuri janë konfiskuar dhe kanë kontribuar në mbështetjen e 15 projekteve me impakt social dhe shërbime direkte për komunitetin, si dhe janë vënë në dispozicion të 20 institucioneve publike për realizimin e programeve të tyre. Gjithashtu, është krijuar baza ligjore për transferimin e pronave të konfiskuara në pushtetin vendor për strehimin e personave në nevojë, si dhe për ngritjen e qendrave sociale apo rezidenciale për viktimat e dhunës, krimit dhe trafikimit.

Ministrja njoftoi gjithashtu hapjen e një thirrjeje publike për organizatat e shoqërisë civile dhe OJF-të, me qëllim përfitimin e aseteve të konfiskuara për projekte konkrete në shërbim të qytetarëve. Në vijim, Ministria e Punëve të Brendshme po punon për të zgjeruar këtë mekanizëm, duke synuar financimin e projekteve për të rinjtë, veçanërisht për ata që janë dëmtuar apo shfrytëzuar nga krimi, me fokus fuqizimin, rehabilitimin dhe largimin e tyre nga rrugët e paligjshmërisë.

Koçiu bëri të ditur një nismë të re ligjore që po përgatitet nga Ministria e Punëve të Brendshme për të mundësuar që asetet kriminale të shkojnë edhe në mbështetje të familjeve të efektivëve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës.

“Efektivi i rënë nuk mund të kthehet pas, por familjet e tyre meritojnë solidaritetin, mirënjohjen dhe mbështetjen e plotë të shoqërisë. Këto të mira, që sot financohen vetëm nga taksapaguesit, duhet dhe mund të financohen edhe nga pasuria kriminale,” theksoi Ministrja.