AKTUALITET, 15 Mars 2023, 15:12

Berisha sfidon Ramën për projektligjin e parashkrimit: Bëhu burrë dhe firmose, po ta mban!

Berisha sfidon Ramën për projektligjin e parashkrimit: Bëhu

Ish-kryeministri Sali Berisha sfidoi publikisht kreun e qeverisë Edi Rama duke i kërkuar të kalojë në parlament projektligjin për parashkrimin për të cilin tha se e ka “tmerr” dhe nuk pranon ta firmosë.

Në mbledhjen me grupin e deputetëve, Berisha tha se nuk mund të ketë parashkrim për kryeministrin dhe ministrat e qeverisë sepse sipas tij, “përdorin të gjitha manovrimet që krimet e tyre të kalojnë parashkrimin”.

“Ligji që kemi sjellë këtu ka një bazë solide kushtetuese po këtë e mban Linda e Parlamentit, ligji ka 6 muaj që pret në sirtare dhe ne do ta denoncojmë me forcën më të madhe, nuk ka sjellë amendamentin e dorëzuar para 7 muajsh për heqjen e të drejtës së parashkrimit për kryeministrin. I them Edi Ramës bëhu burrë dhe ta bëjmë këtë nen ta firmosim, firmose ti ta firmos dhe unë po ta mban, por nëse nuk e firmos do të jetë neni i parë që do të firmoset me ardhjen e PD në pushtet, koha tregon se është jetike për të ndëshkuar hajdutëritë që u bëhen shqiptarëve nga kryeministri dhe ministrat dhe tij, nuk mund të ketë parashkrim për ta sepse përdorin të gjitha manovrimet që krimet e tyre të kalojnë parashkrimin, do të luftojmë që ky ligj të kalojë në parlament dhe ata që firmosin për plackitjen e qytetarëve duhet të ndiqen nga drejtësia gjer ditën e fundit të jetës së tyre pa asnjë lloj mbrojtje, janë krime të shëmtuara që mjerojnë qytetarët, parashkrimi është amnisti, nuk mund të ketë amnisti për qeveritarët.

Ai nuk firmos se ka tmerr, por ky nen do ta ndjekë mbrapa deri sa të votohet në parlament. Rezoluta për gjenocidin në Kosovë ka mbi 9 muaj në parlament,  e mbanë kryetarja Linda me urdhër të Edi Ramës, ky është një akt i pashembullt në histori, Edi Rama me këtë qëndrim dëshmon se është një vasal”, tha Berisha.

Projektligji për heqjen e parashkrimit për kryeministrat, zëvendës kryeministrat, ministrat, kryetarët e kuvendit dhe ish-funksionarëve u paraqit nga Berisha në tetor 2022. Sipas këtij projektligji parashikohet edhe për kohën ku ishte Berisha kryeministër që të hetohet.

"Ky ligj ka dy nene. Neni i parë thotë: Nuk i nënshtrohen parashkrimit veprat penale te korrupsionit për kryeministrin, zëvendës kryeministrat, ministrat, kryetarët e kuvendit dhe ish funksionarëve të sipërpërmendur.

Neni 2: Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në fletoren zyrtare.

Ky ligj, mendoj unë, në kushtet e Shqipërisë kur vetë KLSH ka vërtetuar abuzimin nga kjo qeveri me të paktën me 8.2 miliarde euro, vjedhje e shpërdorime.” – shprehej 6 muaj më parë Berisha.

Deri tani është në fuqi që kur kalojnë 10 vite nga detyra nuk mund të hetohet personi që ka krye këto vepra penale.