AKTUALITET, 15 Mars 2023, 15:04

“Pati frikë se mund ta arrestonin”/ Zbardhet ankimimi i ish-zv/kryeministrit, BKH kontrolloi banesën dhe celularin e partneres së Arben Ahmetajt

“Pati frikë se mund ta arrestonin”/ Zbardhet ankimimi i
Arben Ahmetaj

Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj u ankimua ligjërisht për kontrollet e BKH-së në banesat e tij, ku jeton me partneren dhe ku jeton ish-bashkëshortja.

Në dokumentin e ankimimit të dorëzuar nga avokatët e Ahmetajt thuhet se ambienti i kontrolluar “duhet të konsiderohej si banesë e deputetit të Kuvendit përderisa ai qendron në këtë banesë me bashkëjetuesen E.H”.

Përmes avokatëve, Ahmetaj dhe bashkëjetuesja e tij kërkojnë konstatimin e paligjshmërisë së kontrollit të banesës në pronësi të bashkëjetueses së deputetit të PS, “për shkak të mungesës së shkaqeve të ligjshme për kryerjen e tij dhe për mungesë arsyetimi të lidhjes mes provave për kryerjen e faktit penal dhe sendeve që synohej të gjendeshin në banesë”.

Në ankimim kërkohet gjithashtu dhe shpallja e paligjshme e modaliteteve të ekzekutimit të kontrollit pesonal të partneres së tij dhe banesës, pasi “procedura e zbatuar nga hetuesit e BKH ka cenuar lirinë e zonjës E.H në kundërshtim me ligjin, dinjitetin njerëzor të saj, të drejtën e mbrojtjes ligjore të çiftit bashkëjetues dhe privatësinë e komunikimeve elektronike”.

Sipas dokumentit të dorëzuar në Apelin e GJKKO, thuhet se bashkëjetuesja e Ahmetajt, “nuk është funksionare e adminsitratrës e s’ka lidhje me faktet që hetohen nga Prokuroria e Posacme.

Ajo bëhet subjekt kontrolli vetjak e të banesës vetëm se është bashkëjetuese e Arben Ahmetajt. Nga bashkëjetesa ata kanë sjellë në jetë një fëmijë çka konfirmohet fakti që ata të dy bashkëjetojnë në të njëjtën banesë”.

“Nuk ka asnjë dyshim se shtëpia e regjistruar në pronësi të E.H, është dhe banesë e bashkëjetuesit të saj, Arben Ahmetaj, pasi ata konsumojnë aty në mënyrë të vazhdueshme dhe të qendrueshme, privatësinë e raportit të mbështetur në lidhjen e bashkëjetesës.

Për këtë arsye, GJKKO ka lejuar kontrollin e apartamentit, ku bashkëjeton me znj E.H, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Arben Ahmetaj dhe hetuesit e BKH e kanë ekzekutuar atë në kundërshtim me ligjin.

Duke vendosur të kontrollonin banesën e znj E.H, ato ishin të ndërgjegjshme që po kontrollonin banesën e deputetit Ahmetaj pa mandat kontrolli, në cenim të Kushtetutës dhe të ligjit procedural”, theksohet në ankimim.

Gjithashtu, ankimimi thekson se bashkëjetuesja e Ahmetajt ka dorëzuar të dhënat për telefonin e saj teksa është ndier e trysnuar nga hetuesit e BKH.

“Akti i detyrimit të zonjës E.H për të deklaruar fjalëkalimin etelefonik dhe PIN e kartës SIM është një akt që cenon të drejtën e saj për privatësinë e komunikimeve.

Nuk ka pasur akt autorizues të GJKKO për të ndërhyrë dhe marrë dijeni mbi përmbajtjen e komunikimeve private të zonjës E.H. Gjithashtu vënia e saj nën trysni nga hetuesit e BKH menjëherë sapo u vu në kontakt me ta dhe kërkesa e tyre e menjëhershme për të dorëzuar fjalëkalimet që lejonin hyrjen në komunikimet që përmbante telefoni i saj celular është një akt ku shfaqet mungesa e respektit për dinjitetin e njeriut dhe trajtimi poshtërues që i shkaktuan asaj ndienjën e frikës, ankthit dhe inferioritetit.

Pra dorëzimi i fjalëkalimeve u bë i mundur kundër vullnetit të saj dhe pa pasur mundësinë e një zgjedhje tjetër. Ajo pati frikë se mund ta arrestonin për shkak të kundërshtimit të autoriteteve gjyqësore.

Theksojmë se hetuesit nuk kishin të drejtë të hynin në sistemin kompjuterik të smartphohe të zonjës E.H dhe të merrnin dijeni mbi përmbajtjen e komunikimeve private elektronike pa një vendim të posacëm autorizues të gjykatës.

Kjo mënyrë veprimi cenoi të drejtën e saj për t’i garantuar dinjitetin njerëzor dhe privatësinë e komunikimeve“, thuhet në padi.