AKTUALITET, 24 Shkurt 2023, 13:22

Berisha: Rastin e vajzës nga Kenia, ne do e bëjmë çështje ndërkombëtare! Vrasësi fshihet nga qeveria

Berisha: Rastin e vajzës nga Kenia, ne do e bëjmë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një komunikim për mediat është shprehur se rastin e vajzës nga Kenia që humbi jetën tragjikisht pas incidentit në Tiranë do ta bëjë një çështje ndërkombëtare.

Berisha ka akuzuar se vrasësi është një person që ka lidhje të afërta me qeverinë dhe po mbrohet prej tyre.

Fjala e Berishës:

"Krim-ministri Edi Rama do mbajë përgjegjësi personale. Rastin e vajzës nga Kenia, ne do e bëjmë çështje ndërkombëtare.

Ta dijë Edi Rama, të mos fshehë në qeveri vrasësit, por të dalë se nuk mund të vriten njerëzit në atë mënyrë.

Vrasësi fshihet nga qeveria dhe kjo është një gjë shumë e rëndë.

Jam marrë dhe po merrem me këtë, por qëndrim më kriminal që ka mbajtur policia, nuk mund të gjendet.

Kjo sepse vrasësit flenë në qeveri."

Kujtojmë se Joy Ayoko ka ndërruar jetë para disa ditësh pasi ishte dhunuar barbarisht nga persona ende të paidentifikuar në kryeqytet.

Që prej 14 gushtit të vitit 2022 vajza nga Kenia ndodhej e shtruar në spital pasi u dhunua brutalisht dhe u hodh nga kati i dytë i banesës ku jetonte në rrugën “Pandeli Evangjeli” në kryeqytet. Ajo ishte në gjendje kritike dhe kishte nevojë për kujdes të specializuar neurologjik, i cili nuk ishte i disponueshëm në Shqipëri.