AKTUALITET, 10 Dhjetor 2021, 15:11

Berisha “non grata”/ Escobar: Hetimet kanë nisur që në kohën e Trump

Berisha “non grata”/ Escobar: Hetimet kanë nisur që

Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit dhe i Dërguari i Posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se vendimi për shpalljen non grata të ish-kryeministrit Sali Berisha nuk është vendim politik, por është vendim institucional.

Në një intervistë për News 24, Escobar theksoi se hetimet kanë nisur që në kohën e administratës së Trump.


“Është një vendim institucional. Dhe nëse sheh rastet e shpalljeve të bëra dje në veri të Kosovës, ato hetime u deshën vite të zhvilloheshin. Nuk është thjesht kjo administratë, por edhe administrata e mëparshme dhe administrata para saj, ndaj askush nuk duhet t’i shohë këto vendime si vendime politike të bëra nga një administratë apo nga një institucion.” – shprehet Escobar.

Teksa ka folur për pretendimet e ish-kryeministrit Berisha se vendimi për shpalljen e tij non grata ka qenë skemë e Sorosit e miqve të tij, i dërguar i posaçëm i SHBA-së thotë se këto deklarata janë absolutisht të gabaruara, madje të rrezikshme sipas tij.