AKTUALITET, 5 Shtator 2024, 17:45

Berisha edhe kryetar i PD-së, edhe non grata? Gjekmarkaj: Ka patur arritjet më të rëndësishme në historinë moderne të Shqipërisë

Berisha edhe kryetar i PD-së, edhe non grata? Gjekmarkaj: Ka patur arritjet

Nënkryetari i PD, Agron Gjekmarkaj, komentoi mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike, ku janë zgjedhur 12 drejtuesit e qarqeve.

Gjekmarkaj tha se kreu demokrat Sali Berisha dha udhëzime në këtë mbledhje. Sipas tij, Berisha është figurë kryesore e Partisë Demokratike dhe është i padiskutueshëm në drejtimin e partisë.

"Në mbledhjen e Kryesisë së PD u diskutua për gjendjen e vendit. Fjala e Berishës ishte një apel, një fjalë udhëzuese për strukturat e PD dhe për vetë qytetarët që shohin me shpresë nga opozita. Pjesa e dytë ishte shpallja e kryesuesve në qarqe. U zgjodha kryesues i PD për qarkun Lezhë. Unë jam një person që besoj se kam bërë dhe do të bëjë gjithçka për Lezhën. Berisha është figura kryesore e PD, është i padiskutueshëm në drejtimin e Partisë Demokratike.

Qytetarët jetojnë në një shtet, ku iu futen duart në xhep, ku krimi i organizuar menaxhon votat dhe qytetarët besoj se janë të irrituar nga kjo situatë. Rama po sillet si mbret në Republikë Parlamentare dhe qytetarët kanë të drejtë të reagojnë. PD grumbulloi gati 600 mijë vota, në kushte tepër të këqija, do bëjë më mirë tashmë që jemi bashkuar. 12 drejtuesit e PD në qarqe kanë integritetin për të udhëhequr fushatën të suksesshme. Drejtësia e re po vepron me regji"- tha ai.

Gjekmarkaj u pyet nëse Sali Berisha mund të jetë kryetari i Partisë Demokratike, kur është i shpallur non grata.

Gjekmarkaj tha se Berisha është një personalitet politik, i cili nga vitet 2005 deri më 2013 ka pasur arritjet më të rëndësishme në historinë moderne të Shqipërisë. Sipas tij, në hetimet ndaj Berishës është shkelur Kushtetuta.

"Shqipëria është shtet sovran. Duke qenë e lirë, ajo duhet dhe do ketë raporte të shkëlqyera me SHBA-të. Berisha nga 2005 më 2013 ka pasur arritjet më të mëdha në historinë moderne të vendit. Një kryeministër që ka qenë i suksesshëm, nuk ka pse mos të jetë sërish i tillë. Sa i përket akuzave nga SPAK ndaj Sali Berishës, Struktura e Posaçme është institucion, vendimet e së cilës nuk janë gjithmonë të drejta.

Në rastin e hetimeve ndaj Berishës, është shkelur Kushtetuta. Nuk ka një fakt ndaj Sali Berishës. Fundin politik Sali Berisha e përcakton vetë. Berisha po prodhon politikë nga shtëpia e tij, duke bërë denoncime, që ne të tjerët nuk kemi kurajo t’i bëjmë"-tha Gjekmarkaj për News 24.