AKTUALITET, 5 Shtator 2024, 14:48

Më pak procedura për të huajt/ Ndryshon ligji “Leje unike” për ata që vijnë për punë në Shqipëri

 Më pak procedura për të huajt/ Ndryshon ligji “Leje
Lehtësohen procedurat për të huajt që duan të marrin leje qëndrimi në Shqipëri për arsye punësimi. Projektligji me disa ndryshime është hedhur për konsultim dhe parashikon shkurtim të afateve për pajisje me leje qëndrimi.

Projektakti vjen si një element i rëndësishëm për të ndikuar më tej në hapjen e rrugëve të migracionit të rregullt për punësim dhe menaxhimit të hyrjeve të të huajve në kontekstin e turizmit në rritje. Në draft është futur edhe koncepti i “lejes unike” kërkesa për të cilën   mund të bëhet nga vetë i huaji, nga punëdhënësi, agjencia e punësimit ose subjekt i autorizuar duke shtuar mundësitë për aplikim. Shqyrtimi i kërkesës dhe lëshimi i “lejes unike të qëndrimit” është shkurtuar dhe është bërë deri në 4 javë.

Kur punëdhënësi punëson një të huaj, njoftimi për autoritetin përgjegjës vendor për kufirin dhe migracionin dhe AKPA-n do të bëhet automatikisht nga sistemi tatimor. Në draft është rregulluar më tej edhe dispozitat për Leje Unike për punësim stinor, duke parashikuar se pas vitit të parë të punës, punëdhënësi ka të drejtë të bëjë kërkesë për të njëjtin të huaj me kusht që periudha e shkëputjes të jetë 6 muaj. Të dhënat e INSTAT tregojnë se të huajt po tregojnë më tepër interes për  Shqipërinë duke u rritur me 18,2% gjatë 2023 në krahasim me një vit më parë.

Në fund të vitit të kaluar  numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri rezultoi 21.460 banorë. Shtetasit me origjinë nga Kosova, Italia dhe Turqia përbëjnë numrin më të madh të të huajve me leje qëndrimi që kanë zgjedhur Shqipërinë për të jetuar gjatë vitit të kaluar. Arsyet e vendosjes në Shqipëri janë të ndryshme por mbizotëron arsyeja e punësimit në vendin tone.