AKTUALITET, 7 Prill 2023, 14:24

Berisha "bën paqe" me Glover, 27 vite pasi britanikja e ODIHR dënoi zgjedhjet e 26 majit 1996 si të manipuluara

Berisha "bën paqe" me Glover, 27 vite pasi britanikja e ODIHR
Fotomontazh: Audrey Glover dhe Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur sot mbi pritshmëritë e tij për raportin përfaqësueses së ODIHR, Audrey Glover, për zgjedhjet e 14 majit. 

Teksa u pyet mbi faktin se çfarë pret nga raporti i Glover në një kohë kur me të ka pasur dhe përplasje për këtë çështje në 96-ën, kur ODIHR tha se zgjedhjet e 26 majit ishin të manipuluara, Berisha tha se dashuria dhe armiqësia nuk janë të përjetshme.

“Nuk ka as dashuri dhe as armiqësi të përjetshme. Në këtë kontekst, ato që kanë pasur për zgjedhjet e 96-ës, kalojnë dhe i afrohen 28 viteve. Ajo që mund të them unë se Glover, në zgjedhjet e fundit ka bërë një raport profesional. Unë e kam vlerësuar raportin e saj. Raporti i saj nëse do merrej me seriozitet nga qeveria dhe komuniteti ndërkombëtar, qeveria nuk do ishte kurrë në këtë gjendje. Ai raport bazë kryesore për të gjithë transforimin e kuadrit ligjor. Ai raport u shpërfill në mënyrë të tmerrshme nga qeveria dhe nga eksponentë ndërkombëtar. Ai ishte raporti më profesional që mund të jetë shkruar ndonjëherë.”, tha Berisha.

Nga ana e saj, Shefja e Misionit të Vëzhguesve të ODIHR për procesin zgjedhor të 14 majit, Audrey Glover, duke folur sot për mediat nga Tirana e pyetur për një takim të mundshëm me Sali Berishën u përgjigj: “Me shumë kënaqësi ne kemi ndërmend të takohemi me cilindo që është i përfshirë në këtë proces zgjedhor”.

Për Glover dhe gjithë vëzhguesit e OSBE/ODIHR e zgjedhjeve në vend, e rëndësishme është që procesi të garantojë votën e lirë dhe kandidim të barabartë.

“Jemi të interesuar të shohim nëse procesi është në përputhje me rekomandimet e OSBE-së që përfshijnë parimet e barazisë, drejtësisë dhe votimit të fshehtë. Ajo që na intereson është që rezultatet e zgjedhjeve të nxirren dhe të shpallen në mënyrë korrekte. Kandidatët duhet të luajnë në kushte të barabarta dhe votuesit duhet të kenë të drejtën universale për të votuar. Zgjedhësit duhet të kenë mundësinë të votojnë të lirë e të sigurt dhe që vota e tyre të numërohet dhe llogaritet në mënyrë korrekte. Roli ynë është të bëjmë një vlerësim teknik të procesit. I takon pastaj shoqërisë civile, politikanëve, qeverisë të vendosin se si do i konsiderojnë vlerësimet tona. Jam e lumtur që pata mundësinë të prezantoj misionin para jush, i cili do të jetë terësisht transparent”, u shpreh Glover.

Ajo u shpreh se ODIHR do të ketë një ekip bazë prej 13 ekspertësh të vendosur në Tiranë, ku përfshihen një ekpert ligjor, një ekspert zgjedhjesh, një ekspert politik, 2 analistë për mediat, 1 analistë për pakicat kombëtare dhe një kordinator për vëzhguesit afatgjatë. Do të ketë gjithashtu një ekpert për burimet njerëzore, sigurinë dhe për financat, si dhe së shpejti edhe 24 vëzhgues afatgjatë të cilët do të mirëinformohen në Tiranë dhe shpërndahen në të gjithë vendin.

ODIHR do të ketë gjithashtu para ditës së zgjedhjeve edhe monitoruesit afatshkurtër të zgjedhjeve të cilët do të informohen në Tiranë për të shpërndarë më pas në të gjithë vendin ku do të vëzhgojnë qendrat e votimit, qendrat e numërimit dhe daljen e rezultateve.

Nderkohe e pyetur për situatën zgjedhore të tanishme krahasuar me atë të 4 viteve më parë, Glover tha se procesi mbetet për t’u parë në vijim.

“E para njëherë është e kuptueshme që ne nuk krahasojmë zgjedhjet, sapo kemi mbërritur do i shohim shumë me kujdes, do shohim se çfarë do ndodhë dhe sigurisht shpresojmë për më të mirën”.