AKTUALITET, 7 Prill 2023, 11:41

Drejtuesja e misionit të vëzhguesve të OSBE/ ODIHR zbulon masat për zgjedhjet: Një ekip afatgjatë do të qëndrojë në Tiranë

Drejtuesja e misionit të vëzhguesve të OSBE/ ODIHR zbulon masat

Shefja e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR, Audrey Glover po zhvillon konferencën e parë për mediat, pas mbërritjes në Shqipëri në kuadër të misionit vëzhgues për zgjedhjet e 14 majit.

Glover zbuloi se ODHIR, do të ketë një ekip afatgjatë për monitorimin e zgjedhjeve në vend, i cili përbëhet nga 13 ekspertë që do të qëndrojë para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor në Shqipëri.

Gjithashtu ajo nënvizoi se ditën e zgjedhjeve do të vijnë dhe monitoruesit afatshkurtër, të cilët do të vëzhgojnë procesin zgjedhor gjatë ditës së votimit, dhe gjatë numërimit e daljes së rezultateve.

“Jemi këtu për të vëzhguar procesin zgjedhor, e theksoj këtu jemi vetëm për të vëzhguar dhe pa ndikuar në ecurinë e procesit. Po raportojmë ato që po vëzhgojmë.

Me vëzhgim kemi parasysh vëzhgimin para, gjatë dhe pas ditës së zgjedhjeve.

Ne do të kemi një ekip bazë prej 13 ekspertësh të vendosur në Tiranë, ku përfshihen një ekspert ligjor, një ekspert zgjedhjesh, një ekspert politik, 2 analistë për mediat, 1 analistë për pakicat kombëtare dhe një kordinator për vëzhguesit afatgjatë.

Do të ketë gjithashtu një ekspert për burimet njerëzore, sigurinë dhe për financat, sigurisht i fundit por jo nga rëndësia, do të jetë zëvendësi im.

Do të kemi së shpejti edhe 24 vëzhgues afatgjatë të cilët do të mirëinformohen në Tiranë dhe shpërndahen në të gjithë vendin.

Do të kemi gjithashtu para ditës së zgjedhjeve edhe monitoruesit afatshkurtër të zgjedhjeve të cilët do të informohen në Tiranë për të shpërndarë më pas në të gjithë vendin ku do të vëzhgojnë qendrat e votimit, qendrat e numërimit dhe daljen e rezultateve”, tha Glover.