AKTUALITET, 7 Prill 2023, 12:39

KLSH zbulon zhdukjen e parave në buxhet/ Caka: Bashkia e Skraparit e falimentuar qëllimisht nga Rama

KLSH zbulon zhdukjen e parave në buxhet/ Caka: Bashkia e Skraparit e

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka ka denoncuar drejtuesit e Bashkisë së Skraparit se ka vjedhur taksat e qytetarëve.

Duke iu referuar raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për Bashkinë e Skraparit, në deklaratë për mdiat, Caka thekson se paratë publike, të cilat duheshin hedhur për investime, mungojnë dhe se janë konstatuar punime publike të pakryera.

Sipas Cakës, Bashkia e Skraparit i bashkohet 21 bashkive, të cilat janë falimentuar me dashje nga administratorët e emëruar nga Edi Rama, me qëllimin e vetëm, pasurimin e mëtejshëm të një grupi njerëzish.

Deklarata e plotë e Sekretares për Marrëdhëniet me Publikun, Silva Caka

Raporti përfundimtar i Kontrollit të Lartë të Shtetit për Bashkinë e Skraparit, tregon se paratë publike, të cilat duheshin hedhur për investime, mungojnë dhe se janë konstatuar punime publike të pakryera.

Por si mund të zhduken paratë në këtë mënyrë? Si është e mundur që paratë e mbledhura nga taksat e qytetarëve, të zhduken sa hap e mbyll sytë?

Kjo ka vetëm një shpjegim: vjedhjen!

Jo pak, por 32 punonjës të Bashkisë së Skraparit, gjenden nën akuzë të fortë nga KLSH-ja, pasi kanë përvetësuar paratë që do të shërbenin për investime.

Gjithashtu, raporti i KLSH-së nxjerr në pah se në këtë bashki, ka problematika të mëdha në prokurime, tendera, dokumentacion e të tjerë.

Pra, me pak fjalë mund të themi se Bashkia e Skraparit është vjedhur masivisht, jo nga individë të panjohur, por nga drejtuesit e saj.

Në këtë kuptim, Bashkia e Skraparit i bashkohet 21 bashkive, të cilat janë falimentuar me dashje nga administratorët e emëruar nga Edi Rama, me qëllimin e vetëm, pasurimin e mëtejshëm të një grupi njerëzish.

Por pavarësisht se ky raport ku konstatohet vjedhja e parave publike, përfshin një periudhë 2 vjeçare kontrolli, gjatë së cilës bashkia është drejtuar nga Adriatik Mema, i emëruar nga Edi Rama në vitin 2019, Rilindja e nxorri përsëri kandidat, për një bashki të cilën e ka vjedhur, duke e çuar drejt falimentit, madje duke mos marrë në konsideratë as raportin tejet intim, që drejtuesit aktualë të kësaj bashkie kanë me alkoolin dhe rrahjet nëpër lokale.

Prandaj 14 Maji është ditë shprese edhe për banorët e Skraparit, pasi mes një grupi hajdutësh dhe një kandidati si Euglen Mustafallari, do zgjedhin këtë të fundit.

Skrapari ku hapeshin vende pune, ku silleshin investime strategjike si TAP-i dhe ku jeta e banorëve mori një tjetër dimension, ka degraduar në një vend ku nuk ka më të rinj, nuk shkon më asnjë investim, nuk hapet asnjë vend pune, ku edhe të punësuarit në administratë kërcënohen nga funksionarët e Rilindjes.

Prandaj jemi të bindur se Euglen Mustafallari, do të jetë zgjedhja e qytetarëve të atij vendi, për të sjellë ndryshimin aq të kërkuar dhe të munguar në këto 4 vite në Bashkinë e Skraparit.