AKTUALITET, 21 Nëntor 2025, 11:27

"Bëjeni ju gjyqin! S’marr më pjesë!", Plarent Dervishaj përplaset me gjyqtarët pasi nuk lejuan seancë me dyer të mbyllura

"Bëjeni ju gjyqin! S’marr më pjesë!", Plarent

Seanca gjyqësore ndaj Plarent Dervishajt është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes të pandehurit, avokatëve dhe trupës gjykuese.

Përmes mbrojtësve të tij, Dervishaj kërkoi që procesi të zhvillohej me dyer të mbyllura, duke argumentuar se mediat kanë shtrembëruar deklaratat e dëshmitarëve. Megjithatë, gjykata ka rrëzuar këtë kërkesë.

Dervishaj u ka hequr avokatëve të tij të drejtën për ta përfaqësuar dhe është larguar nga salla e gjyqit.

Para se të dilte, ai i është drejtuar gjykatës me fjalët: “Bëjeni ju gjyqin. Nuk do të marr më pjesë në gjyq.”

Mbrojtësit e Dervishajt janë larguar po ashtu nga salla e gjykimit. Debati nisi pas rrëzimit të kërkesës për zhvillim të procesit me dyer të mbyllura. Dervishaj thekson se disa nga mediat kanë shtrembëruar dëshmitë e dëshmitarëve në procesin gjyqësor në ngarkim të tij.

GJKKO vendosi të vijojë gjykimin pa praninë e të pandehurit, Plaurent Dervishaj, një kërkesë e bërë nga vetë i pandehuri.

Gjykimi do të vijohet me praninë e një mbrojtësi te caktuar kryesisht nga gjykata. GJKKO vendosi të pranojë revokimin e mbrojtësve, duke qenë se është një e drejtë e të pandehurit dhe vendosi të shtyjë seancën për në datë 5 dhjetor, ora 12:00.

Plarent Dervishaj një personazh i njohur në sferën e krimit në Shqipëri, që u ekstradua nga Dubai i Emirateve të Bashkuarta Arabe, si personi kryesor i përfshirë në atentatin ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoji, në nëntorin e vitit 2019, në mbikalimin e Shkozetit.