TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka folur jashtë dyerve të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, pasi bashkëshorti i saj është shpallur investitor strategjik nga qeveria.
Bylykbashi tha për mediat se asnjë deputet apo ministër nuk mund të përfitojë nga pasuria e shtetit dhe për këtë standarti është vendosur.
Ai tha se, nëse Gjykata Kushtetuese do të rrëzojë precedentët e mëparshëm dhe nuk do i heqë mandatin Olta Xhaçkës, atëherë sipas tij të gjithë bashkëshortët e deputeteve dhe ministreve do të pasurohen në mënyrë të paligjshme nga politika.
Deklarata e plotë e Bylykbashit:
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka një dispozitë shumë të qartë, nenin 70 pika 3 në mbrojtje të interesit publik. Askush, asnjë prej deputetëve nuk mundet që të ushtrojë një aktivitet fitimprurës me pasurinë e shtetit, apo të përfitojë nga pasuria e shtetit. Dhe sanksioni për këtë është humbja e mandatit të deputetit.
Gjykata Kushtetuese tashmë e ka vendosur standardin për përfitime më të vogla se kaq. Dy deputetë të Republikës së Shqipërisë në të shkuarën kanë humbur mandatin. E themi dhe njëherë, është i vetmi sanksion që ka Kushtetuta në raport me dispozitat e tjera, dhe është një sanksion dhe dispozitë e rrallë në kushtetutat e ndryshme. Dhe kjo nga kushtetutë bërësit është bërë në mënyrë të qëllimshme, për të parandaluar që deputetët apo pushtetmbajtësit të ushtrojnë pushtetin duke u pasuruar në dëm të interesit dhe pasurisë publike.
E thashë që precedenti është vendosur. Nëse sot do të bjerë ky precedent dhe qeveria me presionin që ka ushtruar deri në këto momente, do të arrijnë ta zhbëjnë këtë pikën 3 të nenit 70, të 140 bashkëshortët apo bashkëshortet e deputetëve, apo ministrave do të kenë mundësinë të ushtrojnë nëpërmjet kamuflimit, marrëveshjeve të simulimit, krijimit të kompanive fiktive dhe të ushtrojnë pushtetin në mënyrë të tillë, që të hyjnë të varfër në pushtet dhe të dalin të pasur. Kjo është e papranueshme dhe sot është sigurisht detyra, nderi dhe përgjegjësia e Gjykatës Kushtetuese të mbrojë interesin publik.
Ne këtu nuk kemi ardhë për një çështje të PD-së, jemi në mbrojtje të interesit publik dhe gardiani i fundit për këtë është Gjykata Kushtetuese.