AKTUALITET, 15 Korrik 2023, 17:13

‘Bashkë Fitojmë’ kallëzim penal në SPAK, kërkojnë pezullimin nga detyra të kryebashkiakut të Kuçovës

‘Bashkë Fitojmë’ kallëzim penal në SPAK,

Koalicioni “Bashkë Fitojmë’ ka depozituar një kallëzim penal në SPAK, ku kërkon pezullimin nga detyra të kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdarit. Në kallëzimin që mban datën 14 Korrik, Hajdari akuzohet se ka fshehur në formularin e vetëdeklarimit në dy raste, një dënim nga drejtësia greke. Me anë të një dokumenti zyrtar i përbërë prej 14 pikash të cilat i drejtohen zotit Dumani, kreut të SPAK, ‘Bashkë Fitojmë’ kërkon pezullimin e Hajdarit si dhe caktimin e masave të tjera të sigurisë për falsifikim të formularëve parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal.

Në shkresën e dërguar në SPAK, ‘Bashkë Fitojmë’ rendit 14 specifika të cilat sipas dokumentit janë konsideruar si shkelje penale duke filluar nga zgjedhjet e 14 majit e deri tek falsifikimi i dokumenteve pas zgjedhjeve si edhe vepra të tjera lidhur me influencimin dhe manipulimin e procesit zgjedhor në këtë bashki. Në kallëzim thuhet gjithashtu se Kreshnik Hajdari ka qenë në dijeni të plotë të dënimit, pasi ai ka qenë prezent në kohën e dhënies së tij. PD shprehet se Hajdari e ka fshehur dënimin në formularët e vetëdeklarimit para zgjedhjeve të 2019-ës dhe atyre të 2023-shit, duke konsumuar kështu veprën penale të falsifikimit të formularëve që parashikon dënim me burg.

“Kërkojmë ndjekjen penale të shtetasit Kreshnik Hajdari, i biri i Rizait dhe Halimese, lindur ne Berat dhe banues ne Kuçove, i datelindjes 29.07.1982, me detyre kryetar i bashkisë Kuçove, akuzuar për veprat penale te falsifikimit te formularëve te parashikuar nga neni 190 I kodit Penal”, thuhet në dokument. Kujtojmë se fill pas përfundimit të zgjedhjeve të 14 majit, SPAK i kërkoi KQZ-së vendimin e dënimit të Kreshnik Hajdarit, kandidatit të Kuçovës, me argumentin që PS dhe KQZ e ka fshehur dhe nuk e ka dhënë.

Kryetari i Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari rezulton i dënuar nga drejtësia greke për akuzën e “Kalimit të Paligjshëm të Kufirit”. Ai drejton bashkinë e Kuçovës dhe fitoi një mandat të dytë në zgjedhjet e 14 Majit. Vendimi për dënimin e kryebashkiakut Kreshnik Hajdari është dhënë në vitin 1999 nga gjyqtari i vetëm i gjykatës penale të Janinës, Nicolaos Raptis. Gjyqtari e ka gjetur fajtor dhe dënuar Hajdarin me 1500 Dhrami. Ajo që e penalizon Hajdarin në këtë rast është fakti se ai nuk e ka deklaruar këtë dënim në formularin e dekriminalizimit. Edhe pse vetë Hajdari ka një shpjegim tjetër ligjor për rastin e tij.