AKTUALITET, 9 Dhjetor 2022, 12:43

Avokatët kërkuan masë më të lehtë ose shtrim në spital, "arrest me burg" për 31-vjeçarin që sulmoi Berishën

Avokatët kërkuan masë më të lehtë ose shtrim

Gjykata ka caktuar masën “arrest me burg” për 31-vjeçarin, Gert Shehu, që sulmoi me grusht kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjatë protestës së 6 dhjetorit.

Avokatët e 31-vjeçarit kanë kërkuar masën e arrestit shtëpiak ose shtrim të detyrueshëm në spital për shkak të gjendjes fizike dhe mendore.

Kërkesa e tyre u refuzua nga gjykata.

Atij iu komunikua masa e sigurisë pak më parë në Spitalin e Traumës, ku është ende i shtruar, pasi spitali i burgut nuk e pranoi.

E ëma dhe mjeku thanë se ai kishte probleme psiqike, por kryetari i PD-së e ka quajtur Gert Shehun” informator të policisë kriminale”.

“Së pari unë e akuzoj Edi Ramën sepse Gerti Shehu është informator i policisë kriminale me emër, mbiemër dhe kod, dhe është përdorur nga Ardi Veliu. Ky informator është përdorur në dokumentet zyrtare për çmontimin e rrjeteve të drogës dhe si vesh për xhematin e xhamisë. Përhapja me shpejtësi e variantit të sëmurë psikik, dëshmon se Gerti Shehu është nën mbrojtjen totale të Edi Ramës, që ka porositur krimin e tij.”, deklaroi Berisha.