LIFESTYLE, 4 Prill 2023, 15:59

"Aurora, i adhuroj", kryeministrja italiane merr dhuratë vathët e krijuara nga vajza nga Shqipëria, pozon me to

"Aurora, i adhuroj", kryeministrja italiane merr dhuratë

Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni ka marrë një dhuratë të veçantë nga Shqipëria. Një palë vathë të krijuara me dorë nga Aurora nga Vau i Dejës.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca ka postuar videon nga takimi me kryeministren e Italisë në kuadër të pjesëmarrjes në Panairin më të madh të Verës në Verona, kur ajo i dhuroi vathët.

Meloni përshëndeti plot vlerësim punën e dorës së një shqiptareje të re e kurajoze si Aurora, krijuese e punishtes Margjelo, hapur gjatë pandemisë, që zgjodhi ta lerë punën e ekonomistes dhe të kultivojë traditën e hershme të filigranit të Shkodrës.

"Aurora, i adhuroj", thotë Meloni duke falënderuar krijuesen e vathëve. 

Duke falënderuar Aurorën, Krifca i uroi suksese të mëtejshme.

"Një moment i bukur nga takimi me Kryeministren Meloni, përshëndetja plot vlerësim për punën e dorës së një shqiptareje të re e kurajoze si Aurora, krijuese e punishtes Margjelo, hapur gjatë pandemisë, që zgjodhi ta lerë punën e ekonomistes dhe të kultivojë traditën e hershme të filigranit të Shkodrës.
Aurora, në punishten e vendosur në Vaun e Dejës, tek @margjelo_filigran.albania sheh një të ardhme të lidhur mes zejes dhe turizmit rural. Ka punësuar mjeshtre si Valbona me eksperiencën e 30 viteve në ish-artistiken e Shkodrës me qëllimin që të angazhojë të rinj që duan ta përftojnë këtë zanat e kulturë nga kjo eksperiencë e vyer.
Suksese më tej Aurora! Qeveria jonë përmes programeve të ndryshme të zhvillimit mbështet të rinjtë që punojnë me përkushtim e sjellin krenari për vendin me vizionin për ringjalljen e traditës, zejeve, vlerave qytetare e rurale duke sjellë autenticitet, identitet dhe përkatësi", shkruan Krifca.