AKTUALITET, 7 Janar 2022, 14:57

As gazetarët nuk lejohen të futen në PD, Gazment Bardhi mbyll dyert e blinduara

As gazetarët nuk lejohen të futen në PD, Gazment Bardhi mbyll

As gazetarët nuk lejohen të futen në Partinë Demokratike. Pas pamjeve që u publikuan një ditë më parë, ku në korridoret e selisë së PD-së janë vënë re dyer të blinduara, saldatriçe dhe mjete të tjera, gazetarët i kërkuan Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së të lejohen për t’u futur brenda në selinë blu, por ai e ka mohuar këtë mundësi.

“Është fakt i njohur publik që në selinë qëndrore janë duke u bërë punime nga më të ndryshmet. Në përgjegjësinë që na kanë mundësuar demokratët është detyra jonë të marrim masat për të shmangur çdo mundësi përplasjeje mes demokratëve. Nuk mundemi ne që meqë Berisha ka humbur arsyen dhe bën thirrje për gjakderdhjen e demokratëve, ta lejojmë që t’ia bëjë këtë dhuratë Edi Ramës. Nuk ka asnjë derë të blinduar të asnjë zyre në selinë qëndrore të PD. Çdo zyrë ka të njëjtat dyer dhe dritare që ka pasur gjithmonë, asnjë nuk është përforcuar me hekur. E vetmja derë e përforcuar me hekur është ajo ku janë panelet elektrike”, tha Bardhi.

Por megjithëse gazetarët i kanë kërkuar Gazment Bardhit t’i lejojë me ngulm të futen në selinë e PD, për të verifikuar çfarë po ndodh aty, ai tha se nuk është në interes të mediave ngjyra e mureve të selisë së PD-së.

Një ditë më parë gazetari i Syri Tv hyri nga dritarja e banjës në PD dhe filmoi dyert e blinduara që po saldoheshin në korridoret e selisë blu.