AKTUALITET, 7 Gusht 2025, 11:07

Arrihet marrëveshja/ Trump dhe Putin mund të takohen në ditët në vijim! Kremlini: Vendi i takimit është rënë dakord në parim

Arrihet marrëveshja/ Trump dhe Putin mund të takohen në

Një takim ndërmjet presidentit rus Vladimir Putin dhe atij amerikan Donald Trump pritet të zhvillohet “në ditët në vijim”, me “propozim të palës amerikane”. Lajmin e ka bërë të ditur këshilltari presidencial rus, Yuri Ushakov, i cituar nga agjencia Interfax.

“Me propozim të palës amerikane, është rënë në parim dakord për një takim bilateral të nivelit të lartë në ditët në vijim, pra për një takim mes presidentit Vladimir Putin dhe Donald Trump”, deklaroi Ushakov. “Tani, së bashku me kolegët amerikanë, kemi nisur përgatitjet konkrete”, shtoi ai.

Vendi ku do të zhvillohet takimi mes Vladimir Putin dhe Donald Trump është rënë dakord “në parim”, dhe Kremlini do ta bëjë publik më vonë, tha më tej Ushakov, duke sqaruar se “aktualisht, së bashku me kolegët tanë amerikanë, kemi nisur të përcaktojmë parametrat specifikë të këtij takimi”.

Pritshmëritë për një takim ballë për ballë mes Putinit dhe Trump-it janë rritur pas vizitës së djeshme në Moskë nga i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, vizitë që Shtëpia e Bardhë e përshkroi si me rezultate “më të mira sesa pritej”.

Raportime të mëparshme në mediat amerikane pohonin se administrata Trump po kërkonte të organizonte një takim me Putinin javën e ardhshme dhe kishte propozuar përfshirjen e Zelenskyt. Presidenti ukrainas ka deklaruar se i duhet një bisedë direkte me presidentin rus për të bërë përparim në bisedimet për paqe.

Witkoff vizitoi Moskën të mërkurën, për bisedime që më vonë Trump i cilësoi si “shumë produktive” me Putinin dhe zyrtarë të tjerë rusë. Në javët e mëparshme, presidenti amerikan kishte shprehur frustrim për mungesën e përparimit në negociatat e paqes mes Moskës dhe Kievit, dhe kishte kërcënuar me vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë dhe partnerëve të saj tregtarë ndërkombëtarë.

Moska ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se do të preferonte një zgjidhje të shpejtë dhe paqësore të konfliktit, në mënyrë që të adresohen çështjet thelbësore të saj. Sipas zyrtarëve rusë, pengesat për paqen përfshijnë kërkesat jorealiste të Ukrainës dhe angazhimin e aleatëve evropianë të Kievit për të vijuar furnizimet me armë.

Zyrtarët në Kiev kanë lënë të kuptohet se kanë pranuar rifillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta me Rusinë në maj, për të mos u shfaqur si kundërshtarë të përpjekjeve të ndërmjetësimit të Trump-it. Ukraina po kërkon ndihmë ushtarake shtesë nga Perëndimi dhe sanksione më të ashpra ndaj Rusisë, duke pretenduar se kjo mund ta përmbysë situatën në fushën e betejës në favor të saj.

Nga ana tjetër, Rusia e ka akuzuar presidentin Zelensky se po ndjek një konflikt të armatosur “deri te ukrainasi i fundit”, për ambicie personale.