AKTUALITET, 26 Gusht 2022, 08:59

Arrestohet 49-vjeçari, dyshohet se plagosi fqinjin, në pranga edhe shoku që e strehonte në Tiranë

Arrestohet 49-vjeçari, dyshohet se plagosi fqinjin, në pranga edhe

Policia e Tiranës ka arrestuar shtetasin A. O., 49-vjeçarin, i cili tre ditë më parë dyshohet se plagosi me armë zjarri fqinjin e tij, 23-vjeçarin R. M.,

Ngjarja ndodhi në zonën e Alliasit në kryeqytet. Përmes një njoftimi policia bën të ditur se Osteni është arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Fresku”.

Gjithashtu, është vënë në pranga edhe F. G., 46 vjeç. Ky i fundit dyshohet se ka strehuar autorin e dyshuar në banesën e tij dhe e ndihmonte duke i dërguar i dërguar ushqime.

Gjatë kontrollit të banesës e 49-vjeçarit, ditën e ngjarjes, me datë 23.08.2022, shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe 2 shufra metalike, si ato të Policisë.

Ndërsa, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit F. G., shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një dorezë grushti.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Fresku”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”.

Vihet në pranga 49-vjeçari që plagosi me armë zjarri fqinjin e tij, mbrëmjen e datës 23.08.2022.

Në pranga dhe 46-vjeçar që e strehoi autorin e dyshuar të plagosjes, në banesën e tij, si dhe procedohet në gjendje të lirë edhe një shtetase tjetër, të dy për përkrahje të autorit të krimit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për kapjen e autorit të ngjarjes së ndodhur me datë 23.08.2022, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi R. M., 23 vjeç, bazuar dhe informacionet e marra në rrugë operative për vendndodhjen e shtetasit A. P. (O)., kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fresku”.

Si rezultat i këtij operacioni, në rrugën “Teki Selenica”, u bë lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit A. P. (O)., 49 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

Gjithashtu, u arrestua shtetasi F. G., 46 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, si dhe u procedua penalisht shtetasja E. K., 45 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Shtetasi A. P. (O)., me datë 23.08.2022, ka plagosur me armë zjarri shtetasin R. M., 23 vjeç dhe më pas, i përkrahur nga shtetasi D. O., 45 vjeç, dhe O. I., 39 vjeçe (të arrestuar më parë), është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është strehuar në banesën e shtetasit F. G., në rrugën “Teki Selenica”, ndërsa shtetasja E. K., e ndihmonte duke i dërguar ushqime, në banesën ku strehohej 49-vjeçari.

Gjatë kontrollit të banesës të shtetasit A. P. (O), ditën e ngjarjes, me datë 23.08.2022, shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe 2 shufra metalike, si ato të Policisë.

Ditën e djeshme, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit F. G., shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një dorezë grushti (përforcues metalik).

Vijon puna për gjetjen e armës së përdorur për kryerjen e krimit.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.