TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Katër policë janë në hetim për shpërdorim detyre pas arratisë së 21 vjeçarit Kristjan Medolli nga Gjykata e Korçës ku u njoh me masën e sigurisë arrest me burg. 21 vjeçari me pranga në duar ka dalë me vrap nga garazhi i gjykatës.
I riu nga fshati Qatrom i Korçës u arrestua tre ditë më parë si i dyshuar për grabitjen e një biçiklete dhe një motor frigoriferi. Kristjan Medolli, sapo mësoi se do qëndronte në burg u arratis nga Gjykata e Korçës, por u arrestua shumë shpejt në afërsi të azilit të Korçës, afër kishës së Shën Thanasit, i futur nëpër ferra e shkurre.
Nga veprimet hetimore, siç thuhet në njoftim, ka rezultuar se dy punonjësit e policisë, nuk kanë përmbushur detyrën funksionale duke mos zbatuar detyrimet ligjore për mënyrën e shoqërimit të personave të arrestuar apo të ndaluar.
Njoftimi i plotë
Korçë – Më datë 08.05.2022, Drejtoria Rajonale Elbasan – Korçë e AMP në konsultim edhe me Prokurorin e gatshëm, referoi materialet e para hetimore në gjendje të lirë për 4 punonjës të Komisariatit të Policisë Korçë, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Materialet hetimore u referuan në ngarkim të punonjësve të policisë;
• Inspektor G. S., me detyrë Përgjegjës i zonave të sigurisë në Komisariatin e Policisë Korçë,
• Inspektor F. S., me detyrë Trupë shërbimi i patrullës së përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Korçë
• Inspektor E. S., me detyrë Trupë shërbimi i Patrullës së Përgjithshme
• Komisar M. J., me detyrë Shef i Seksionit të Rendit në Komisariatin e Policisë Korçë
Referimi u krye pasi më datë 08.05.2022, ndërsa punonjësit e policisë shoqëronin shtetasin K. M. në ambjentet e Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë (person i arrestuar) për vlerësimin e masës së sigurisë, gjatë kohës që ky shtetas ka qenë duke hipur në mjetin e policisë, brenda ambjenteve të garazhdit të Gjykatës, u është larguar dy punonjësve të policisë dhe është kapur pak më pas nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se dy punonjësit e policisë, G. S dhe F. S. nuk kanë përmbushur detyrën funksionale duke mos zbatuar detyrimet ligjore për mënyrën e shoqërimit të personave të arrestuar apo të ndaluar.
Po ashtu, rezulton se Inspektor E. S., në kundërshtim me procedurat standarde të punës dhe në cilësinë e përgjegjësit të patrullave, ka bërë njoftimin vetëm të njërit prej punonjësve të patrullës për shoqërimin në gjykatë të shtetasit K. M.
Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje, dyshohet se punonjësi i policisë Komisar M. J., në cilësinë e eprorit të drejtpërdrejtë dhe në mungesë të Specialistit të Rendit, në kundërshtim me ligjin, nuk ka marrë masa për organizimin e shërbimeve për shoqërimin e shtetasit K. M.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin pa pagesë 0800 90 90.