AKTUALITET, 22 Maj 2024, 10:59

Altin Dumani raporton te Komisioni i Ligjeve: Numër i ulët referimesh në SPAK nga institucionet publike

Altin Dumani raporton te Komisioni i Ligjeve: Numër i ulët referimesh

Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani po raporton sot në Komisionin e Ligjeve, ku ka bërë një bilanc të punës së institucionit që drejton.

Ai gjatë fjalës së tij u ndal te mandati i prokurorëve, ndërsa shtoi se duhet një zgjatje e mandatit për ta. Po ashtu ai nënvizoi faktin se mungojnë referimet nga institucionet publike.

“Të nderuar deputetë, ne kemi paraqitur disa shqetësime që shpresojmë të gjejnë mbështetje dhe zgjidhje ligjore nga Kuvendi, siç janë mungesa e përcaktimit të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimi të mandatit, mungesa e këshilltarëve ligjorë, adresimi i ngarkesës të shtuar ndaj drejtuesit të SPAK mbi çështjet e papërfunduara të rivlerësimit të magjistratëve pas marrjes së kompetencës të komisionerit publik, mungesa e referimet nga institucionet publike, shtimi i numrit të hetuesve të BKH, numri i konsiderueshëm i procedimeve të mbartura”, pohoi kreu i SPAK.

Ai shtoi se:

“Gjatë vitit 2023 janë sekuestruar pasuri të paluajshme, portofola kriptovalutash. 22 hetime pasurore janë regjistruar, janë paraqitur në gjykatë 8 vendime për sekuestrim ndërsa gjykata ka vendosur që të sekuestrojë 7 raste. Janë dhënë nga gjykata 6 vendime për konfiskim pasurie. Nga GJKKO janë marrë 8 vendime me sekuestro preventive. Nga GJKKO janë marrë 20 vendime me objekt konfiskimi përmes të cilave janë konfiskuar 4 pasuri të paluajtshme 11 pasuri të luajtshme dhe euro e lekë shqiptare. Janë dënuar 9 zyrtarë të nivelit të lartë nga GJKKO. Janë hetuar 4 ish-magjistratë, që janë shkarkuar nga Vettingu. Janë dënuar 2 ish-magjistratë. Me ndihmën e OPDAT ky sistem do të fillojë fazën pilotuese në muajin qershor dhe parashikohet që deri në dhjetor ky sistem të jetë në funksion.”.