TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ambasada amerikane në Tiranë ka përshëndetur zgjedhjen e Altin Dumanit si kryetarin e ri të SPAK. Në një postim në Facebook, ambasada shkruan se mbështet plotësisht Dumanin, teksa shton se SHBA do të vijojë të ndjekë zbatimin e reformës në drejtësi.
Ambasada inkurajon Altin Dumanin që të vijojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe SPAK të tregojë se askush nuk mund të jetë mbi ligjin.
Reagimi i ambasadës amerikane:
Ambasada e SHBA përgëzon Altin Dumanin për zgjedhjen si Kryeprokurori i ardhshëm i SPAK. Të tre kandidatët – zoti Dumani, Adnan Xholi dhe Edvin Kondili – janë shumë të kualifikuar dhe meritojnë respekt të plotë në përpjekjet e tyre. Presim me kënaqësi të punojmë ngushtë me të gjithë ata.
Për të çuar përpara Memorandumin e Presidentit Biden në Përcaktimin e Luftës kundër Korrupsionit si një Interes Thelbësor i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara (qershor 2021), ne do të vazhdojmë të mbështesim zbatimin e reformës në drejtësi.
Presim me kënaqësi të mbështesim zotin Dumani dhe SPAK-un ndërsa ata vazhdojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Puna e SPAK-ut duhet të vazhdojë të demonstrojë që askush nuk është mbi ligjin.
Koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund. Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kusht për anëtarësimin në BE, është një kërkesë e drejtë e popullit shqiptar. Shtetet e Bashkuara do qëndrojnë gjithnjë krah popullit shqiptar.
Falënderojmë Këshillin e Lartë të Prokurorisë për një proces përzgjedhës i cili pati qëllim të siguronte integritetin e procesit. Është thelbësore për institucionet e drejtësisë që të veprojnë me integritet, pa frikë apo favore.
Vlerësojmë shumë zotin Kraja për udhëheqësinë dhe përkushtimin e tij si Kryeprokurori i SPAK. Ai vendosi themele të forta mbi të cilat pasardhësit e tij mund të ndërtojnë.