AKTUALITET, 28 Prill 2022, 10:26

Alibeaj: Janë katër deputetë të kësaj mazhorance të etiketuar non-grata, Presidenti i ri jo i afektuar nga vota e tyre

Alibeaj: Janë katër deputetë të kësaj mazhorance

Kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj foli sot për mediat për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

“Një profil politik që mos të ketë të bëjë fare me influencën e votave të non gratave.

Janë katër deputetë të kësaj mazhorance ca publikisht e ca jo të etiketuar non grata që s’kanë të drejtën morale e politike. Konkluzioni i parë, do të duhet të jetë një President jo i afektuar prej votës non grata”, tha ai.

Lidhur me situatën brenda PD-së, Alibeaj theksoi se platforma e bashkimit që ai ka paraqitur disa javë më parë “është libri i shenjtë i demokratëve”.

“E kemi bërë të qartë, grupi parlamentar ka nxjerrë platformën e parimeve të bashkimit, është libri i shenjtë për demokratët që i bën të gjithë bashkë, duhet t’i bëjë, është në fuqi do të jetë në fuqi gjithë kohës.

Është diskutuar gjerë e gjatë prej disa javësh në mbledhje të gjata diskutime e takime me gjithë deputetët, është shprehur fare qartë qëndrimi i tyre, fatkeqësisht pati një refuzim, besoj që kjo është një çështje tashmë s’ka asnjë kërshëri përtej kësaj”.